Arbëri

Abdixhiku prezanton planin 15-pikësh për qeveri kalimtare: Zgjat deri në zgjedhjen e presidentit

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar planin 15-pikësh për “Qeverinë e Unitetit Kombëtar”, që ka thënë se do të zgjasë deri në zgjedhjen e presidentit.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në fillim të vitit 2026.

Në një konferencë për media të enjten, kryetari i LDK-së ka thënë se “Qeveria e Unitetit Kombëtar” ka periudhë kalimtare.

“...është deri në zgjedhjen e presidentit dhe do të fokusohej në 15 pika themelore”, shtoi ai.

Si pikë e parë, Abdixhiku e përmendi funksionalizimin e institucioneve kushtetuese dhe do të merrej me departizimin e insticucioneve.

“Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve”, ka thënë Abdixhiku.

Me këtë plan, kryetari i LDK-së ka thënë se parashihet të ketë rritje pagash.

Gjithashtu me këtë plan, siç thotë Abdixhiku, parashihet heqja e TVSH-së për çdo faturë të energjisë elektrike.

“Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme”, ka thënë ai.

Në plan, Abdixhiku përfshiu edhe vettingun në drejtësi, rindërtimin e raporteve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dhe ndër të tjera, nisjes e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës.

Agjenda 15-pikëshe e LDK-së:

  1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.
  2. Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit.
  3. Pakoja emergjente për menagjimin e krizës energjetike dhe heqja e TVSH-së për çdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme.
  4. Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin, por do të nisë projektin dhe të dakordohemi që projekti të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja të pranverës së 2026.
  5. Rindërtimi i raportit me BE-në dhe SHBA-në. Kthimi i besimit politik përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore është prioritet i Qeverisë së Unitetit. Do të përgatisim platformë unike nga të gjitha partitë për dialogun me Serbinë. Ristrukturim i plotë i shërbimit diplomatik që është në kolaps të plotë pas 4 vjetëve të qeverisjes.
  6. Brenda një shumice të tillë do t’i votonim marrëveshjet ndërkombëtare.
  7. Vettingu në sistemin e drejtësisë.

8 . Fillimi i projekteve me rëndësi jetike për Kosovën.

9.  Do të flasim për reformën kushtetuese në funksion të stabilitetit. Do të trajtonim edhe këtë praktikë që po kalojmë, se a do të duhet të kemi ndryshime kushtetuese. Pra të bëjmë një reset kushtetues.

10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

11.  Përgatitja për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.

12.  Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

13.   Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.

14.   Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.

15.   Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule

Lexo përditësimet tjera
Lumir Abdixhiku

Abdixhiku: Asnjëra palë nuk i ka numrat, prandaj duhet qeveri transitore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbrojtur idenë se në Kosovë duhet...