Kulturë

Rritja e çmimeve rrezikon shpëtimin e Burgut të Spaçit

Burgu i Spaçit

Llogaritet se ndërhyrjet fillestare në Burgun e Spaçit, kapin vlerën e 6 milionë eurove

Rritja e çmimeve dhe e kostove të ndërtimit sikundër ndryshimi i përparësive dhe investimet në fushën e armatimeve, do të vonojë ndërtimet e institucioneve kombëtare dhe do të vërë në dyshim restaurimin e Burgut të Spaçit.

Në konferencë me gazetarët, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, u ka dhënë përgjigje pyetjeve dhe shqetësimeve sa u takon ndërtimeve të Teatrit Kombëtar, Muzeut Kombëtar, Galerisë Kombëtare dhe Bibliotekës Kombëtare. Pa dhënë afate, Gonxhja ka lënë të kuptohet se rritja e kostove i bën të paqarta datat e inaugurimeve.

“Ndërsa Biblioteka Kombëtare, mbetet si çështje ende komplekse, fatin e saj, duket se po e ndjek edhe projekti i planit të menaxhimit dhe mandej restaurimit të Burgut kamp të Spaçit. Çështja e nevojës së kthimit të tij në një vend të vizitueshëm, ku brezat mësojnë të shkuarën dhe po aq mësojnë të shmangin rikthimin e të shkuarës, duket po aq problem buxhetesh. Dhe kur buxhetet rrudhen, të drejtat e njeriut dhe po aq përballja jonë me të shkuarën, duken më të sakrifikueshme”, kanë raportuar mediat në Shqipëri. 

Ministri Gonxhja citohet të ketë thënë se menaxhimi i Butrintit me fondacion ka sjellë rritje të ardhurash në miliona euro dhe në vijim do të ketë edhe një qendër vizitorësh dhe kujdes për trashëgiminë. 

“Modeli i ri solli 148 për qind më shumë vizitorë dhe 318 për qind më shumë të ardhura. Janë miliona euro më shumë në vit dhe janë potencialisht mundësi e mirë. Për mënyrën se si funksionon fondacioni, jam i bindur që jemi në duar të sigurta dhe do të shohim një kujdes nga pikëpamja e konservimit, restaurimit e promovimit. Do të ketë parkim larg dhe po ashtu punojmë me regjistrimet e hipotekimet se ka pasur probleme të pronës dhe situata deri në ndërtime pa leje” citohet të ketë thënë ai. 

I pyetur për konfliktin te projekti TID në zonën arkeologjike të Durrësit, Gonxhja ka vënë në dukje se është një projekt tejet i rëndësishëm, si portë hyrëse në Durrës. 

“Kemi 74 shpronësime dhe 35 janë objekte. Është një nga projektet më të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ky është një nga amfiteatrot më të mëdha romakë në vendin tonë.  Është përtej nesh e përtej qeverish”, ka thënë ai. 

I pyetur për çështjen e projektit të kampit-Burg të Spaçit, Gonxhja ka lënë të kuptohet se ka vështirësi. 

“Është një përgjigje jo e lehtë sepse ai plan menaxhimi është i përafërt dhe me kohët që jetoj e me mënyrën se si lëvizin kosto e çmimet, do të jetë e vështirë të jetë në atë shifër mendohet se mund të duhen 6 milionë një ndërhyrje fillestare, jemi duke folur për vend larg e kushte të thyera.

Është e vështirë të ketë ndërhyrje të qëndrueshme, do shumë financa. Sivjet po punojmë për instrumente, nëse do të arrijmë të çlirojmë fonde, mundësi që të kemi arkat me në gjendje për të adresuar edhe projekte kaq madhore do të ishte shumë mirë”, ka thënë ai duke përmendur edhe fondet nga jashtë. 

“Nëse partnerët tanë si Delegacioni i Bashkimit Evropian e partnerë të ndjeshëm ndaj persekutimeve në periudhën komuniste, do të jenë afër nesh, do të ishte shumë mirë se janë projekte që nuk bëhen vetëm nga qeveria. Ajo ka vlerë të jashtëzakonshme por është e vështirë të vëmë në peshore se sa vlerë ka një shtëpi në Gjirokastër e kategorisë së parë dhe duhet kujdes edhe për objekte të tjera”, ka thënë ai.