Lidhja Demokratike e Kosovës po insiston në propozimin për krijimin e një qeverie tranzicioni me të gjitha partitë shqiptare.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se propozimi ende është i vlefshëm.
“Kohë për të humbur më nuk kemi. Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet - kurdo që janë të gatshëm të tjerët”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja krahas konstituimit të institucioneve, do të merret me zgjedhjet lokale qysh tash. Ai ka shtuar se nga sot do të nisin konsultimet e brendshme për kandidatët për kryetarë komunash e këshilltarë lokalë.
“Deri atëherë, përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, përtej mbledhive repetitive 48 orëshe pa ndonjë qëllim, LDK do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë. Do të merret me Zgjedhjet Lokale. Prandaj, sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë”, ka thënë tutje.