Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme të autoriteteve të Kosovës në mënyrë që të përfitohet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Kuvendi e miratoi sot marrëveshjen që parasheh zhbllokimin e më shumë se 880 milionë eurove për Kosovën nga kjo pako e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Mjetet zhbllokohen varësisht nga reformat të cilat i zbaton Kosova. GLPS-ja e ka vlerësuar të vonuar këtë vendim, megjithatë ka thënë se ai është moment i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian të Kosovës.
Për shkak të vonesave të deritashme, sipas GLPS-së afatet veçse kanë nisur të rrjedhin. Kjo organizatë ka bërë thirrje që Qeveria të vazhdojë menjëherë me themelimin e Komitetit për Monitorimin e Zbatimit të Planit të Rritjes dhe emërimin e një koordinatorit kombëtar, për të siguruar ekzekutimin e parapagesës prej 7% të totalit, përkatësisht 61.8 milionë euro.
“Tashmë nuk ka asnjë pengesë legjislative dhe veprimi i menjëhershëm është thelbësor për zbatim e suksesshëm të Agjendës së Reformave brenda afateve të parapara”, thuhet në një reagim të GLPS-së.
GLPS-ja ka alarmuar se afatet primare për raportimin e tre semestrave veçse kanë përfunduar dhe se po afrohen afatet e grejs periudhës. Për të përfituar rreth 90 milionë euro, GLPS-ja ka rekomanduar shtysë serioze nga Qeveria dhe Kuvendi. Masat reformuese kanë afat deri më 30 qershor. Bëhet fjalë për 13 masa.
Për të mbërritur të përfitohet nga këto mjete, GLPS-ja ka rekomanduar themelimin e një task-force për koordinim në shërbim të zbatimit të menjëhershëm të masave.
Në fund, kjo organizatë ka bërë thirrje për unifikim të spektrit politik.
“Kjo është jetike, sepse me zbatimin e tyre, nga njëra anë vendi ynë përfiton financiarisht, ndërsa nga ana tjetër përafrojmë kuadrin ligjor, politik dhe administrativ me acquis të BE-së. Pas një viti të humbur me përplasje politike, tani është momenti për reforma të shpejta dhe të vendosura”, thuhet në reagimin e GLPS-së.