Arbëri

Afro 12.8 milionë u shpenzuan më 2024 për qira të institucioneve publike

12.8 milionë euro të taksapaguesve janë shpenzuar vjet për qira të institucioneve publike. Ani se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para ardhjes në pushtet e pati premtuar uljen e këtyre shpenzimeve, sipas raportit financiar për vitin 2024, ato janë rritur për 2.3 milionë euro nga viti 2021 dhe për 5 milionë krahasuar me vitin 2024

Afro 12.8 milionë euro të taksapaguesve, vjet shkuan në xhepat e kompanive private, të cilat i lëshuan objektet e tyre me qira për shfrytëzim nga institucionet publike.

Shpenzimet për akomodimin e zyrtarëve publikë brenda një dekade janë rritur për 66 për qind. Më 2014, nga buxheti i shtetit ishin shpenzuar 7.7 milionë euro, e më 2024 kjo shifër shkoi gati në 13 milionë.

Trendi i rritjes së shpenzimeve mori hov më 2019, kur u shpenzuan 10.4 milionë euro.

Atë vit, Albin Kurti, ende në opozitë, pati premtuar se me ardhjen në pushtet asnjë institucion publik nuk do të shfrytëzojë objekte private.

“Qeveria e re ka si prioritet mbi prioritetet zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare. Do të fillojmë me objektivin që asnjë institucion publik të mos vendoset nëpër objekte private. Kjo nënkupton që nuk mund të lejojmë rialokime të stafit nëpër ndërtesa vetëm e vetëm për t’i përmbushur apetitet për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike, e as nevojën për përfitime të paligjshme të pronarëve të objekteve të caktuara private”, pati thënë Kurti më 23 nëntor 2019.

Por, gjatë qeverisjes së tij, shpenzimet për qira të institucioneve publike u rritën për 2.3 milionë euro.

KOHA ka dy javë që ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme informata se cilat institucione janë të vendosura në objekte private dhe nëse ka ndonjë plan për akomodimin e tyre në ato publike, por nuk ka marrë përgjigje.

Dy muaj më parë në objekt me qira është zhvendosur edhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

“Hapësira e marrë me qira e ka një sipërfaqe prej 1000 m² dhe shuma mujore e qirasë është 10.500 euro. Kontrata është nënshkruar për periudhën dyvjeçare. Lokacioni ku është vendosur Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ndodhet në lagjen “Pejton”. Nuk kemi pasur hapësira tjera publike për akomodim dhe nevoja të gjykatës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Në objekt me qira është edhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Ky institucion që nga 2018-ta i paguan 18 mijë e 500 euro në muaj për qira të 3.105 metrave katrorë.

Nga ky institucion kanë bërë të ditur se së fundmi u është bërë zgjidhje dhe pritet të vendosen në hapësirat e kompleksit “ish-Rilindja”.

“Zyra Kombëtare e Auditimit në vazhdimësi ka bërë kërkesa tek institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e çështjes së objektit. Pas një periudhe të gjatë të operimit në objekte private, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), sipas vendimit nr. 187/2025 të datës 05.02.2025, e ka ndarë hapësirën e nevojshme për Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) në kompleksin“ ish-Rilindja”, për ta mundësuar realizimin e funksioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj”, thuhet në njoftimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Por, zgjidhje nuk i është bërë Ministrisë së Bujqësisë. Nga ky dikaster thonë se kanë shtruar disa kërkesa, të fundit më 28 prill 2025.

“MBPZHR-ja e përfaqësuar nga znj. Venera Çerkini, sekretare e Përgjithshme më datën 28 prill 2025 kemi parashtruar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht i jemi drejtuar znj. Fahrije Tërnava, Sekretare e Përgjithshme, lidhur me shqyrtimin e kërkesës sonë për shqyrtim të transferimit të stafit të MBPZHR-së nga objekti aktual me qira në një objekt publik/qeveritar, por sipas përgjigjes nga MBP-ja, kjo çështje aktualisht nuk mund të realizohet”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Kjo ministri paguan 27 mijë e 300 euro në muaj qira apo 327 mijë euro në vit. Po aq kjo ministri paguan edhe për qiranë ku ishte e vendosur deri vonë Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë.

Rreth 300 mijë euro në vit për qira paguan edhe Agjencia për Krahasim e Verifikim. Në të njëjtën ndërtesë private është i vendosur edhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor, për qiranë e të cilit në vit paguhen afro 160 mijë euro.

Në vitin 2023, kostoja e qirave për institucionet publike ishte 11 milionë e 495 mijë euro.