Megjithëqë Kuvendi është i bllokuar prej pothuajse dy muajsh, 82 nga 120 deputetët e legjislaturës aktuale, që nga betimi më 22 prill, kanë angazhuar për vete zyrtarë të lartë personalë. Bazuar në të dhënat e Kuvendit, secili prej tyre paguhet nga rreth 900 euro në muaj. Disa ligjvënës këtë e arsyetuan me mundësinë që ua ofron rregullorja e Kuvendit, e disa tjerë nuk qenë në gjendje të tregojnë për punën që ata e kryejnë
Afër 74 mijë euro do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit pagat për asistentët, që deputetët i kanë angazhuar për vete deri të premten.
Ani se prej dy muajsh nuk kanë bërë punë në Kuvend e për të cilën do të mund merrnin asistencë, 82 deputetë kanë angazhuar staf mbështetës, me pagë mujore bruto prej 900 eurosh.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga Kuvendi, deputetët e kanë nisur angazhimin e asistentëve që nga 22 prilli, tri ditë pas betimit për këto mandate.
Sipas këtyre të dhënave, nga 48 deputetët sa i ka Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të lartë personalë kanë angazhuar 23 syresh. Në PDK këtë e bënë 20 ligjvënës, teksa në LDK, AAK dhe Nisma, që të gjithë.
Nga radhët e subjekteve të komunitetet joshumicë, asistentë kanë marrë 11 deputetë, katër prej të cilëve, ata të Listës Serbe.
Angazhimi i stafit mbështetës për deputetët përcaktohet me njërën prej rregulloreve të Kuvendit, që u miratua nga legjislatura e kaluar.
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, e pranoi angazhimin e asistentëve, teksa këtë e justifikoi me mundësinë që ia ofron rregullorja e Kuvendit.
“Për asistentët është e paraparë me rregullore, janë të angazhuar. Askush nuk e ka menduar dhe nuk e ka pritë që do të shkojë 31 ditë edhe deputetët, sikurse dhe asistentët, po marrin një pagë pa bërë ndonjë shërbim. Mua më vjen keq, por nuk është faji te një deputet ose te pesë deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, e ka arsyetuar Brahimaj angazhimin e asistentit.
Ndonëse angazhoi asistente që nga 22 prilli, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se nuk e di se çfarë pune kryejnë ata.
“Nuk e di vallahin. Pyeti deputetët”, është shprehur Zemaj, që pjesë e Kuvendit ka qenë në gjashtë legjislatura.
Angazhimin e asistentëve e arsyetuan edhe në LVV.
“Sa i përket çështjes së asistentëve, kjo është e përcaktuar në rregulloren e punës së Kuvendit, e cila është votu në mandatin e kaluar. Pra, deputetëve u është dhënë një mundësi e tillë...”, ka thënë deputetit Artan Abrashi.
Edhe dy ditë bëhen fiks dy muaj nga mbajtja e seancës së parë për konstituimin e Kuvendit. Që nga 15 prilli, deputetët janë mbledhur çdo 48 orë për 31 herë radhazi. Punimet e secilit vazhdim, që nga ajo kohë, kanë zgjatur mesatarisht nga pesë minuta.