Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Afro 8 milionë euro fatura e zgjedhjeve të reja

QNR Votat zgjedhjet

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Pas një cikli të përsëritur zgjedhjesh brenda vetëm 16 muajve, Kosova pritet të përballet sërish me një proces të ri elektoral që do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 8 milionë euro. Ky zhvillim bëhet pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjes automatike të Kuvendit, duke shtuar edhe një faturë të re financiare mbi taksapaguesit

Afro 8 milionë euro pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mbajtja e edhe një palë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dështimit të zgjedhjes së presidentit.

Përballja me një cikël të përsëritur zgjedhjesh brenda një periudhe prej 16 muajve do të prodhojë një barrë shtesë financiare për shtetin. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 i kushtuan buxhetit të Kosovës rreth 7.1 milionë euro, ndërsa ato të 28 dhjetorit 7.4 milionë euro, duke e kthyer procesin zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër në një faturë të përsëritur miliona euroshe për taksapaguesit.

E kësaj fature i shtohen edhe 8.8 milionë euro për dy raundet e zgjedhjeve lokale që u mbajtën në tetor të vitit të kaluar. 

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se pas caktimit të datës, do të miratojnë planifikimin e buxhetit të nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. 

“Viti 2026 nuk është një vit zgjedhor dhe kjo do të thotë se në buxhetin vjetor të KQZ-së të ndarë me ligjin e buxhetit, nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje të parakohshme. Në rrethana të tilla, ashtu siç është vepruar në të kaluarën, KQZ-ja i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së. 

Bazuar në të dhënat të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare, shuma e shpenzuar ishte më e ulët sesa planifikimet e KQZ-së. 

Për zgjedhjet e 9 shkurtit, ky institucion kishte planifikuar 8.7 milionë euro, ndërkaq sipas raporteve financiare janë shpenzuar 7.1 milionë euro.

Ndërsa për ato të 28 dhjetorit ishte planifikuar shuma prej 11.5 milionë euro, por që bazuar në raporte jopërfundimtare shuma e shpenzuar është rreth 7.4 milionë euro. 

E mbajtja e edhe një palë zgjedhjeve vetëm 4 muaj pas atyre paraprake, sipas Blendi Hasajt, drejtor i Institutit GAP, është para e çuar dëm. 

“Ka raste kur zgjedhjet e jashtëzakonshme shërbejnë për t’u dhënë epilog disa proceseve, që i bën ato të kuptimta dhe në funksion të demokracisë. Por këto të ardhshmet, që po mbahen veç 3-4 muaj pasi i përfunduam një palë të tilla, nuk i shërbejnë asgjëje përmbajtjesore, e paratë e përdorura për mbajtjen e tyre janë para të çuara dëm. Para publike që po paguajnë për egon, pamaturinë e mungesën e lidershipit të liderëve politikë”, ka theksuar Hasaj.

Hasaj përmend edhe mundësinë se ku do të mund të përdoreshin këto mjete nëse ato nuk do të shpenzoheshin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke veçuar investimet në rritjen e efiçiencës së energjisë, ndërtimin e mbi 20 çerdheve brenda vitit, riciklim, inteligjencë artificiale, etj. 

Me dështimin e zgjedhjes së presidentit brenda afatit të përcaktuar edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është shpërndarë në mënyrë automatike.