Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AGK-ja pas dënimeve të KPM-së ndaj mediave: Vërtetim se ky institucion është kapur nga VV-ja

Komisioni i Pavarur për Media

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka thënë se pas vendimeve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) është vërtetuar se ky institucion është kapur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gjatë mbledhjes së sotme, KPM-ja ka shqiptuar gjoba ndaj disa mediave lidhur me raportimin gjatë zgjedhjeve të shkurtit 2025.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Rexhës, KPM-ja është mbledhur për të marrë vendime për 26 raste që lidhen kryesisht me zgjedhjet, ndërsa ka cilësuar si “skandaloz” arsyetimin e këtij institucioni për dënimin e mediave.

Ai ka bërë të ditur se Klan Kosova është dënuar me 3 mijë euro gjobë për, siç është thënë nga kryetari i KPM-së, “kronika kryesisht të anshme, të pabalancuara dhe të bazuara vetëm në një burim informacioni që lidhet me pushtetin aktual”.

“KPM-ja synon të disiplinojë mediat dhe të dirigjojë politikat redaktoriale të tyre, e që është goditje e papranueshme për lirinë e medias dhe të shprehjes në Kosovë”, ka shkruar Rexha në Facebook.

Ai ka njoftuar gjithashtu se me gjoba janë dënuar edhe RTK-ja, Kanal10, Tëvë1, RTV Dukagjini dhe T7 për shkelje të pretenduara që lidhen kryesisht me zgjedhjet e shkurtit 2025 dhe reklamimin politik.

“Në rastin e T7, ka pasur një dënim të përgjithshëm prej 4 mijë eurosh, për një sërë shkeljesh të pretenduara, por arsyetimi i kryetarit Berisha është po aq skandaloz sa ai për Klan Kosovën. Mes tjerash ai tha (parafrazim) se ‘në emisione është folur me konotacion negativ, duke mos u bërë dallimi mes opinionit dhe faktit. Dhe, kjo është mënyra më e mirë e manipulimit të fakteve, duke bërë propagandë’ “, ka shkruar Rexha tutje.

Sipas tij, ky është “vërtetim i kapjes së këtij institucioni nga Vetëvendosje”.