Mes kandidatëve për kryetar të Gjilanit është edhe Isa Agushi nga Bashkii për Ndryshim – Anamorava.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjilanin”, ka akuzuar kryetarin aktual dhe gjithë të tjerët para tij se asnjëherë nuk kanë menduar për qytetarët.
“Gjilani kurrë s ka pasur një kryetar të ndershëm, një kryetar të mirë, një menaxher të mirë. Gjilani ka pasur një kryetar të partisë së vet, jo të qytetarëve. Unë e them një fjali katunarçe Gjilani kurrë s’ka pasur 'domaqin’ shpije, kurrë asnjëherë, prej se e mbaj”, ka thënë Agushi. “Pse? Kemi ardhur në vitin 2025, shekulli 21, prapë bisedojmë për projektet e njëjta, për ato që kemi folur në vitin 2012. Jemi kthyer prapa, nuk jemi avancuar absolutisht”.
Sipas Agushit, nëse një kryetar punon mirë dhe në mënyrë transparente, atëherë rezultatet nuk do t’i mungojnë.
“Në qoftë se punon me duar të pastra, të gjithë ta përkrahin. E në qoftë se punon me klane, me partinë pa dëgjime publike, pa ekspertë e profesionistë, normalisht që vijmë te ky problem si mosmiratimi i buxhetit. Kemi mbetur në kolaps si Gjilan”, ka thënë Agushi.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
