Arbëri

Ahmeti: AAK-ja kërkoi të shkarkohej Salihaj, sepse nuk përfaqëson interesat e tyre

Foto: Koha

Me ndryshime e ka nisur javën Shpend Ahmeti në krye të Prishtinës. Ai ka shkarkuar drejtorin e Arsimit, Jonuz Salihaj.

Ahmeti ka thënë shkurt për KTV-në, se kjo ka qenë kërkesë e partnerit të koalicionit, AAK.

“AAK-ja kërkoi të shkarkohej Salihaj, sepse nuk përfaqëson interesat e tyre”, ka thënë Ahmeti.

Derisa Salihaj nuk është përgjigjur, KTV-ja merr vesh se mosmarrëveshjet kishin nisur kur Salihaj nuk kishte pranuar intervenime për të regjistruar fëmijë nëpër institucionet shkollore të Prishtinës.

Drejtori i shkarkuar nuk u ishte bindur as urdhrave nga lart të partisë së kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Ibrahim Mehmeti, ka mohuar një gjë të tillë.

Ahmeti ka vendosur që këtë drejtori ta marrë nën petkun e PSD-së dhe të emërojë një person të pavarur.

Ahmeti ka bërë edhe ndryshime tjera. AAK-së ia ka marrë Inspektoratin dhe drejtorin Brahim Mehmetaj e ka emëruar drejtor të Pronës.

Dren Kukajn e PSD-së e ka emëruar drejtor në drejtorinë e Mirëqenies Sociale. Valbona Osmani do të zëvendësojë Nora Kelmendin në Kadastër.

E, Adonis Tahiri nuk do të jetë më zëdhënës, por drejtor i Inspektoratit.