Arbëri

Aktakuzë për krime lufte ndaj një ish-gardiani të Burgut të Prishtinës

Ish-burgu i Prishtines

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj B.T. ish-gardian i Burgut të Prishtinës, për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, B.T., në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, në bashkëkryerje me gardianë të tjerë, gjatë periudhës 1998-1999, duke vepruar me dashje, ka shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur përkatësisht, kohës së luftës në Kosovë.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në mënyrë sistematike, ata i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në bashkëkryerje, i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit ç’njerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme.