Arbëri

Aktgjykimi i Kushtetueses s’i ngut deputetët, edhe një dështim jubilar

Seanca

Foto: Driton Paçarada

Ka shkuar në 40 numri i seancave të dështuara të Kuvendit për konstituim të legjislaturës së nëntë. E ky dështim jubilar vjen gati një javë qëkur Gjykata Kushtetuese i obligoi deputetët që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin.

Të martën e 1 korrikut, pro komisionit për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin votuan 51 deputetë. S’pati kundër e abstenime.

Seanca u përcoll me polemika mes kryesuesit të seancës, Avni Deharit, dhe përfaqësues të partive opozitare që në foltore nuk propozuan emra për komision, por i kërkonin Deharit “të ndalë shkeljen kushtetuese”. Përplasje pati edhe kur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, propozoi emrin e Albin Kurtit, kryetarit të VV-së, për anëtar të komisionit për votim të fshehtë.

Pikërisht votimi i komisionit ka qenë përplasja e ditëve të fundit e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive që deri tash ishin në opozitë.

LVV-ja ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses lejon kalimin në votim të fshehtë dhe i obligon deputetët të votojnë. Sipas VV-së, mosvotimi nga deputetët e opozitës paraqet shkelje të Kushtetutës.

E deputetët e partive të tjera thonë se Kushtetuesja ka vendosur që kalimi në votim të fshehtë është shkelje. Ata po akuzojnë për shkelje deputetët që marrin pjesë në votimin për komision.

Pas publikimit të aktgjykimit, të shtunën që shkoi u mblodhën liderët e partive, por takimi u mbyll pa gjetjen e një konsensusi për dalje nga kriza.

Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë, por kanë dështuar për ta konstituuar Kuvendin. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë.

Seanca e ardhshme mbahet të enjten.

Lexo përditësimet tjera
kuvend

Aktgjykimi i Kushtetueses s’i ngut deputetët, edhe një dështim jubilar