Festa e Halloween ka origjinë të lashtë, e në gjithë botën ajo vazhdon të jetë festë argëtimi nga të rriturit por edhe fëmijët, ku shoqërohet me maskime dhe atmosferë misterioze.
Edhe pse konsiderohet si festë argëtimi, megjithatë për shumë fëmijë mund të ketë ndikime psikologjike negative.
Sipas psikologes së fëmijëve, Bardha Gërdovci, Halloween me pamje të frikshme, maska e zhurma të çuditshme mund të shkaktojnë frikë e ankth tek të vegjlit, andaj paraprakisht prindërit duhet njoftuar se kjo është festë dhe dallon nga realiteti.
“Festave të tilla si Halloween nuk po mundemi t’iu shmangemi, meqenëse nuk mundemi me iu shmang, neve na mbetet me bisedua me fëmijët ku u shpjegojmë dallimin e imagjinatës nga realiteti. Në këto festa kemi imagjinatë jo të shëndetshme ku shfaqet një karakter i brendshëm i secilit njeri. Është edhe ana pozitive sepse fëmijët zhvillojnë imagjinatën dhe përballen me frikën në mënyrë të shëndetshme. Fëmijët e vegjël nuk e kuptojnë ende pjesën e realitetit me imagjinatë, prandaj varet nga mosha se kur duhet folur me i tregu se ajo është vetëm festë dhe jo diçka reale. Karakteret që zgjidhen për fëmijët duhet të jenë të përshtatshme për moshën e tyre. Mosha 1-2 vjeç nuk duhet të ketë kostume ku tregojnë dhunë dhe frikë, por duhet me superheronj, vajzat si princesha, ku i lehtësohet frika dhe nuk duhet ekspozuar në një vend ku është përtej moshës së tyre, sepse mund të fitojë ankth dhe lëndim emocional”, thekson Gërdovci.
Fëmijët nuk duhet patjetër të jenë pjesë e kësaj feste nëse nuk shprehin dëshirë, por nëse veçse janë ekspozuar dhe e kanë përjetuar me frikë, sipas Gërdovcit duhet të kërkohet ndihma profesionale e psikologut.
“Në momente kur fëmija është i ndrojtur ose heziton të bëhet pjesë e festës, nuk duhet të bëjmë presion. Nëse fëmija nuk është i gatshëm të kuptojë se është vetëm imagjinatë, lojë ose festë ku shprehim imagjinatën e brendshme që kemi, ne si prindër jo patjetër duhet ta ekspozojmë në ato vende. Por nëse ekspozohet pa dashje, duhet folur qetë me të, t’i shpjegohet se është diçka imagjinare dhe jo realitet. Nëse shohim se fëmija ka çrregullim gjumi, ankth, qan më tepër, heziton të dalë në vende të hapura ku është ekspozuar pa dashje, atëherë duhet ndihmë profesionale e të ketë bisedë me psikologun, të përdoren qasje të ndryshme për zbehje të fobisë ose frikës”, shpjegon Gërdovci.
Psikologia shpjegon se trauma është e vështirë për t’u shëruar, e Halloween nuk rekomandohet për moshat e reja, e në veçanti kur ka personazhe dhe skena të frikshme që nuk përkojnë me moshën e tyre.
“Kur krijohet një frikë, ne e quajmë traumë. Fëmija ka parë diçka për të cilën nuk ka qenë i përgatitur, kur kjo i krijohet, kjo traumë merr më shumë kohë shërimi. Ne si psikologë nuk jemi pro kësaj feste sepse shanset për t’u traumatizuar fëmija janë të mëdha, e sidomos në një festë kur ka mosha të ndryshme”, deklaron Gërdovci.
Ajo shton se fëmijët në këto festa shprehin ndjenjat e tyre përmes kostumeve që zgjedhin t’i veshin në atë ditë. Në të njëjtin rast ne mësojmë më shumë për personalitetin e tyre, se si e shohin jetën.
“Një thikë me dy tehe është kur kjo festë inkuadrohet në çdo hapësirë, e sidomos në shkolla. Kostumin që zgjedh fëmija në festë ose ngjyrat tregojnë shumë për ndjenjat e tyre të brendshme, se si e shohin jetën. Nuk kanë fjalë me shpjegu, por nga kostumet e bëjnë këtë. Rritja e frikës dhe mosnjoftimi i mjaftueshëm ndaj fëmijëve duhet ditur si po e fut këtë festë në shkolla, a po e frikëson apo i tregon se është festë pozitive për të zhvilluar imagjinatën dhe ndjenjat e tyre. Krejt varet se si e shohim dhe çka bëjmë në këtë festë”, shton Gërdovci.
Edhe pse Halloween shihet si festë argëtimi, për fëmijët mund të sjellë situata që krijojnë frikë dhe ankth, sidomos kur përballen me pamje të frikshme dhe skena të papërshtatshme për moshën e tyre. Prandaj, është e rëndësishme që prindërit të jenë të vëmendshëm, t’u shpjegojnë fëmijëve dallimin mes fantazisë dhe realitetit dhe të zgjedhin aktivitete e kostume të përshtatshme për moshën e tyre. Mbështetja, biseda dhe qasja e kujdesshme ndihmojnë që kjo festë të jetë një eksperiencë pozitive dhe jo traumatike për fëmijët.
