Arbëri

Aktivistja shqiptare pro-Palestinës qe tri javë në grevë urie në burg në Britani

TEuta Hoxha

Familja e një të burgosure shqiptare në Peterborough të Londrës ka ngritur alarmin për gjendjen e saj shëndetësore, për shkak të grevës trijavëshe. Teuta Hoxha është një prej personave që po mbahen për lidhjet me “Palestine Action”, rrjet britanik pro-palestinez, i themeluar me qëllim që të jetë aktiv në thirrjet kundër luftës në Gazë.

Ky grup dyshohet se në gusht të vitit të shkuar pati hyrë në fabrikën e “Elbit Systems”, kompani izraelite për prodhimin e armëve, në Filton të Britanisë. Dëmet që i shkaktuan besohet të arrijnë mbi një milion funte. Atë kohë ishin arrestuar 24 persona, përfshirë Hoxhën.

Tani një letër nga 75 profesionistë shëndetësorë drejtuar Shërbimit Kombëtar Shëndetësor në Britani të Madhe dhe autoriteteve të burgut, ka alarmuar për gjendjen shëndetësore të Hoxhës, nëse ajo nuk merr trajtimin e duhur. Mësohet se ajo mori terapinë e parë të premten, pas 18 ditësh pa ushqim. Siç ka shkruar “Thenationalnews.com”, Hoxha tani peshon vetëm 50 kilogramë. Ka pasur vazhdimisht temperaturë, kokëdhimbje e vjellje.

Motra e saj, Rahma 17-vjeçare, ka thënë se trajtimi i Hoxhës në burg është përkeqësuar qëkur autoritetet vendosën ta vlerësojnë “Palestine Action” si organizatë terroriste. Që nga ajo kohë, më shumë se 700 persona janë arrestuar për mosbindje kundër ndalimit.

“Motra ime është në mbajtje që nga nëntori i 2024-s dhe gjykimi i saj është në prill 2026 dhe pritet të zgjasë rreth dy muaj”, ka thënë Rahma, raporton “observer”. “Ajo më thotë se burgu është gropë mërzie. Është quajtur terroriste nga stafi i burgut dhe se kinse i përket një grupi terrorist”.

Hoxha nuk akuzohet për terrorizëm. Ajo ka mohuar akuzat për dëmtime e grabitje. Prokuroria pati thënë se veprat kanë “lidhje terroriste”.

Ajo ishte larguar nga burgu Bronzefield në ditën kur deputetët votuan për ndalim të organizatës. Tani ajo ka thënë se nuk po i lejohen që t’i pranojë as letrat që i dërgohen. Në disa komente që i ka parë “The Observer”, ajo ka thënë se qëkur është dërguar në burgimin në Peterborough “po e quajnë terroriste”. Hoxha ka kërkuar që t’i mundësohen aktivitetet rekreative dhe puna në bibliotekë. Mbi këto kërkesa ka hyrë në grevë.

Hoxha ka thënë se një infermiere e ka pyetur se përse po rrezikon shëndetin për “kërkesa kaq të parëndësishme”. “Kur shteti të merr shtëpinë, punën, gati dy vjet të jetës në paraburgim – atëherë e natyrshme është që të duash të ruash çdo grimcë të vogël të pavarësisë”, është përgjigja e Hoxhës.

Thyerja e fabrikës në Filton është cilësuar si dëshmi e fortë që grupi “Palestine Action” është i dhunshëm dhe duhet të vlerësohet si grup terrorist.

Hoxha ishte me miken Khadijah Knight 78-vjeare, kur policia i kishte hyrë në banesë në nëntor. E Knight, mësuese e pensionuar, ka thënë se trajtimi i Hoxhës është përkeqësuar qëkur u transferua në Peteborough. “Ajo është tejet më e dobët... mendoj se ajo tani e kupton se atyre në të vërtetë nuk u intereson nëse ajo jeton apo vdes, prandaj ajo s’do të dorëzohet derisa t’i përgjigjen kërkesave të saj”, ka thënë Knight.

Një zëdhënës i NHS-së, që mbikëqyr kujdesin shëndetësor për të burgosurit ka thënë se “autoritetet shëndetësore të burgjeve janë të detyruar të ofrojnë kujdes në përputhje me specifikat e rëndësishme, përfshirë rritjen e monitorimit klinik të pacientëve që refuzojnë lëngjet dhe ushqimin për të siguruar trajtim të sigurt e të përshtatshëm”.