Arbëri

Alarmohet për rritje të përdorimit të “vape”-ve mes të rinjve

Përdorimi i cigareve elektronike nga fëmijët e të rinjtë dhe shitja e tyre në afërsi të shkollave janë kualifikuar si kërcënim serioz për shëndetin publik. Në Qendrën Kosovare për Avokim dhe Zhvillim kanë alarmuar për mungesën e legjislacionit dhe kontrollit institucional mbi këto produkte që përmbajnë nivele të larta nikotine

Trajtim urgjent për dukurinë e përdorimit të cigareve elektronike nga fëmijë e të rinj në afërsi të shkollave kanë kërkuar përfaqësues të Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim.

Për t’i mbrojtur të rinjtë nga përdorimi i duhanit dhe i produkteve të reja të tij, ata e theksuan domosdoshmërinë e ndërhyrjes institucionale për rregullimin me ligj të shitblerjes së tyre.

Drejtori i qendrës, Shkumbin Spahija, tërhoqi vërejtjen për rrezikun që i kanoset shëndetit nga cigaret elektronike, tek tha se ato kanë sasi nikotine sa 200 të zakonshme, apo sa 10 pako me cigare.

“Për shkak të përdorimit të vape-it që përmban substance që shkaktojnë varësi, si nikotina, e kemi parë të arsyeshme ta ngremë këtë çështje në nivel kombëtar. Ta bëjmë një zë të bashkuar të komunitetit dhe profesionistëve shëndetësorë që do t’i adresojnë sfidat shëndetësore që paraqet konsumimi i vape-it te adoleshentët”, ka thënë Spahija.

Për rrezikun nga këto cigare alarmuan edhe profesionistë shëndetësorë gjatë tryezës së diskutimit me temën: “Rreziku i vaping-ut pranë shkollave: Nevoja për veprim të përbashkët”.

“Fakti që nga viti në vit kemi numër më të lartë me kancer tregon që lufta me duhanin duhet të jetë më adekuate dhe më e mirë, në mënyrë që qytetarët tanë të gëzojnë shëndet. Kemi rreth 200, 230 pacientë çdo vit me kancer mushkërie dhe mbi 30-40 pacientë të cilët kanë kancer të fshikëzës urinare”, ka thënë Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

E sipas Faik Hotit, specialist i shëndetit publik në IKSHPK, duhet të shfrytëzohet momentumi aktual dhe të insistohet në dy gjëra.

“E para, që të zbatohet ligji i cili është në fuqi dhe të insistojmë që kushdo që nesër të jetë në Qeveri t’i përfshijë produktet e reja në ligjin e ri dhe t’i adresojë në mënyrën më të duhur, duke vënë ndalesa aty ku duhet”, ka thënë Hoti.

Cigaret elektronike fillimisht janë promovuar si mënyrë për lënien e duhanit. Studime të mëvonshme treguan se ato që njihen si “vape” janë rruga që joduhanpirësit i bën konsumues të tij. Ngjyrat dhe shijet e tyre i kanë në cak brezat e rinj.