Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Boettcher, ka kritikuar politikën kosovare dhe ka theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës si dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë për të garantuar funksionimin normal të shtetit.
Ai ka vënë theksin mbi nevojën që parlamenti të formojë një qeveri të qëndrueshme, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të ndikojë negativisht në interesin e investitorëve dhe në mirëqenien e qytetarëve.
Boettcher ka theksuar se është përgjegjësi e partive politike dhe e deputetëve të parlamentit të përmbushin pritjet e qytetarëve dhe të konstituojnë kuvendin në përputhje me Kushtetutën.
“Dua të them diçka kritike për politikën këtu. Pra, është përgjegjësi e partive politike dhe e anëtarëve të parlamentit që të përmbushin pritjet e qytetarëve. Është përgjegjësi e anëtarëve të parlamentit që ta konstituojnë Kuvendin në përputhje me Kushtetutën dhe të formojnë e zgjedhin një qeveri që ta drejtojë vendin. Dhe nëse Kuvendi konstaton se rruga më e mirë përpara janë zgjedhjet e parakohshme, atëherë le të jetë ashtu”, ka thënë ai, raportoi EO.
Ai ka paralajmëruar se çdo vonesë në formimin e qeverisë dhe avancimin e tranzicionit energjetik rrezikon interesin e investitorëve dhe sjell humbje të drejtpërdrejta ekonomike.
“Çdo ditë vonese në formimin e qeverisë dhe në avancimin e tranzicionit energjetik, Kosova rrezikon të humbasë interesin e investitorëve. Dhe kjo nënkupton humbje reale në para, në vende pune dhe në mirëqenie të ardhshme”, ka shtuar Boettcher.
Ai këto deklarata i bëri gjatë organizimit dy ditor të Kosova Energy Forum dhe Green Business Expo 2025, ngjarje kjo që synon të ofrojë një platformë për diskutime mbi tranzicionin energjetik, liberalizimin e tregut të energjisë dhe sfidat për tërheqjen e investimeve në sektorin e energjisë së pastër dhe bizneset e qëndrueshme.