Mbledhja e parë e Këshillit Prokurorial për sivjet ka dështuar, meqë kryesuesi dhe kryeprokurori Agon Qalaj ka konstatuar se nuk kaloi rendi i ditës. Njëri version i rendit të ditës mori 3 nga 5 votat e nevojshme, por Qalaj që votoi kundër këtij versioni, tha se propozimi nuk kaloi. Sipas tij, duhen 4 vota për, meqë KPK-ja ka 7 anëtarë
Mbledhja e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial nuk ka shkuar mirë.
Kryesuesi, njëherësh kryeprokurori Agon Qalaj ka shpërfillur kërkesat e tre prej pesë anëtarëve për ta bërë pikë të parë të rendit të ditës certifikimin e Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e KPK-së.
Kundërshtinë e bëri me arsyetimin se ligji i jep diskrecion në udhëheqjen e mbledhjeve të Këshillit.
“Përderisa Këshilli ende nuk ka marrë një vendim formal lidhur me certifikimin e saj dhe përderisa gjykata administrative është duke e trajtuar këtë çështje, ju doni ta filloni procesin e zgjedhjes së kryesuesit duke ia pamundësuar pjesëmarrjen në këtë proces zonjës Bajrami e cila ka fituat të drejtën për të qenë anëtare e Këshilli”, tha Visar Krasniqi, anëtar i KPK-së.
“Renditja e pikave të rendit të ditës nuk është çështje preference, por çështje natyre procedurale... Çështja e certifikimit që ju e propozoni nuk lidhet me funksionalizimin fillestar të Këshillit dhe është objekt rrethanash procedurale dhe gjyqësore aktive”, tha Qalaj.
Shumica e anëtarëve të pranishëm – tre nga pesë, votuan pro propozimit që si pikë e parë e rendit të ditës të futej certifikimi i Bajrami-Kastratit.
Ajo nuk u certifikua as vitin e shkuar në përbërjen e vjetër të KPK-së.
E të martën, kryeprokurori Qalaj ka thënë se tre nga pesë anëtarët prezentë nuk e përbëjnë shumicën në KPK.
Përbërja e re e KPK-së ka 7 anëtarë.
Përkrah tij ishte prokurori special Milot Krasniqi, derisa anëtarët Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi ishin kundër.
Elza Bajrami-Kastrati ka fituar zgjedhjet në konferencën e përgjithshme të prokurorëve në nëntor të vitit të kaluar, por certifikimi i saj u pamundësua vitin e kaluar nga disa anëtarë të Këshillit.
Ajo ka ankesë aktive në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila e ka aprovuar kërkesën për masë të përkohshme, por ende nuk ka vendosur mbi substancën e saj.