Arbëri

Angazhimi i ekipeve mjekësore nëpër kufij u sjell telashe komunave

Që nga 13 marsi të gjithë personat që kanë hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje janë kontrolluar nga ekipet mjekësore aty.

Një ekip nga Komuna e Skenderajt, si dhe një nga Vushtrria, janë duke qëndruar edhe më tutje në këtë pikë kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Por, mungesa e dy mjekëve dhe dy infermierëve që ndodhen në Jarinje, po i sjell telashe të shumta Komunës së Vushtrrisë, e cila edhe i është drejtuar me kërkesë për ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë.

Me gjithë numrin e madh të të infektuarve në Komunën e Vushtrrisë, sipas drejtorit të Shëndetësisë, situata për momentin është e menaxhueshme.

Ekipet mjekësore tash e disa muaj janë duke qëndruar në të gjitha pikat kufitare në Kosovë.

Më 1 qershor me vendim të Qeverisë së Kosovës janë hapur vetëm disa pika kufitare për udhëtarë, derisa deri më 7 qershor ishte në fuqi masa e vetizolimit për personat që nuk kanë teste të kryera për koronavirus.

E nga 8 qershori, të gjithë personat që hyjnë në Kosovë duhet të kontrollohen nga ekipet mjekësore.