Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka rrëzuar shumicën e pikave të ankesës së Pjetër Shalës, por ka gjetur shkelje në aktgjykimin e Themelores.
Ai ia ka ulur Shalës dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.
“Paneli miraton pjesërisht pikën 7 12 dhe 14 prapëson pjesërisht për pikat 1 dhe 3 të aktakuzës, rrëzon apelet e z. Shala për të gjitha pikat e tjera ... cakton dënimin unik me 13 vjet burgim që hyn në fuqi menjëherë”, ka theksuar anëtari i trupit gjykues, Kai Ambos.
Anëtarja e Panelit të Apelit, Nina Jorgensen ka theksuar se paneli vë në dukje se palët nuk qenë në gjendje të citonin prova që, sipas tyre, mund të konsideroheshin bindshëm si të tilla.
“Paneli gjithashtu mbajti parasysh se nuk u dhanë dëshmi konifrmuese të ndalimit të këtyre dy personave të FMK (Fabrikën e Metaleve në Kukës) prej dëshmitarëve të cilët dhanë dëshmi në sallën e gjyqit. Duke pasur parasysh se të vetmet prova të administruara në gjykim lidhur me ndalimin arbitrar të tyre në FMK janë të paverifikuara, Paneli i Apelit gjykon se verdikti i fajësisë së z. Shala për ndalimin arbitrar të këtyre dy personave u bazua në masë vendimtare në prova të paverifikuara. Si përfundim lidhur me pikën 7, Paneli i Apelit konstaton se verdiktet e fajësisë për torturë ndaj 5 personave dhe ndalim arbitrar të dy personave u dha në shkelje të rregullës 140, paragrafi 4, nënparagrafi A i rregullores dhe i prapëson këto verdikte”, ka theksuar ajo.
Paneli ka konstatuar se Shala është përgjegjës edhe për vrasje dhe ka pasur qëllim për vrasje si pjesë e ndërmarrje së përbashkët kriminale dhe kjo mund të dëshmohet prej mohimit të qasjes në ndihmë mjekësore të viktimës së vrasjes.
Paneli ka konstatuar se Shala është përgjegjës për veprat penale “Ndalim arbitrar”, “Torturë” dhe “Vrasje” dhe tha se ulja e dënimit nuk nënkupton se ai po lirohet nga pesha e krimeve të rënda që i ja kryer Shala.
Shala fillimisht nuk u ngrit në këmbë për pjesën e fundit të shpalljes së aktgjykimit.
Avokati i tij Jean Lois Gilissen me sugjerimin e gjyqtarit Kai Ambos tha se do të përpiqet ta bindë Shalën për t’u çuar në këmbë siç e urdhëroi gjykata.
Seanca u ndërpre për një pushim të shkurtër gjatë të cilit Shala komunikoi me mbrojtjen dhe pastaj u ngrit në këmbë për shpallje të akrgjykimit.
Shala më 16 korrik të vitit të kaluar ishte shpallur fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe ishte dënuar 18 vjet burgim.
Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit.
Në këtë çështje gjyqësore, Prokuroria pretendon se afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roja të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin çnjerëzor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të të ndaluarve në Fabrikën e Metalit në Kukës, në Shqipërinë veriore.
Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona që dyshoheshin se bashkëpunonin me Serbinë ose se nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.
Sipas aktakuzës, të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, ndër të tjera, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe detyrimit ose shtrëngimit për të dhënë informacion ose deklarata pranuese. Aktakuza pretendon se Pjetёr Shala dha kontribut të qenësishëm në krimet e pretenduara duke marrë pjesë në to drejtpërdrejt, si dhe duke mos marrë masa adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, ose duke ndihmuar dhe inkurajuar në mënyra të tjera kryerjen e krimeve që paraqiten në aktakuzë.
Organizatat e luftës për vendimin ndaj Shalës: Politik, kemi pritur të lirohet
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e invalidëve të luftës dhe shoqata e familjeve të dëshmorëve kanë shprehur siç kanë thënë, pakënaqësinë e tyre të thellë me vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila konfirmoi dënimin ndaj Pjetër Shala, duke e ulur atë në 13 vjet burgim.
Në reagimin e tyre thuhet se kanë pritur që vendimi të jetë lirues.
“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim. Ky aktgjykim, në vend që të përmbyllë padrejtësinë, veçse e thellon bindjen tonë se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”, thuhet në reagim.
“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë, dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht. Liria nuk gjykohet, ajo respektohet!”, thuhet tutje në reagim.