Arbëri

Shtatë të arrestuar nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës

Policia

Shtatë persona janë arrestuar të enjten nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës, aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar : F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.

Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, “operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi ndër të tjera me masa të veçanta hetimore”.

Në njoftim është thënë se të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar: rreth 20 mijë (20.000) euro para të gatshme, armë,  bizhuteri, dokumente të ndryshme, pajisje elektronike.

Ndërkaq paraprakisht Policia njoftoi për intervistimin e disa personave pas aksionit të zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencës dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale.

E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se bëhet fjalë për arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë e persona përgjegjës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I. Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

 

Sipas tij, grupi dyshohet se “përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike”.

“Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar. Përgëzoj institucionet për këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit. Vullneti politik për t’i luftuar dukuritë negative, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çfarëdo forme e krimit në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla më tej.

Të shtatë personat janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale. Prokuroria ka thënë se hetimet për rastin janë duke vazhduar.