Arbëri

Auditori gjen se Bordi i AKP-së veproi jashtë kornizës ligjore

Zyra Kombëtare e Auditimit e ka vlerësuar si të paligjshëm emërimin dhe kompensimin shtesë të një komisioni për vlerësimin e menaxhmenti nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Sipas Auditorit, kjo është kompetencë që nuk mund të delegohet. Bordi ka mbrojtur vendimin duke e konsideruar komisionin si trup ndihmës dhe të ligjshëm

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është përgjegjës për vlerësim të performancës së menaxhmentit të AKP-së. Por, pavarësisht kësaj, në gusht të 2023-tës kishte krijuar një komision për vlerësim dhe raportim të punës së menaxhmentit. E pjesë e këtij komisioni ishin tre nga anëtarët e Bordit.

Këtij Komisioni vjet në gusht iu vazhdua mandati deri në gusht të këtij viti, duke ua mundësuar këtyre anëtarëve që të marrin edhe shtesa mujore prej 200 eurosh për kryesuesin dhe 150 euro për dy anëtarët, krahas kompensimit si anëtarë të rregullt të Bordit të Drejtorëve.

Por, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, emërimi i komisionit është në kundërshtim me kërkesat ligjore.

Në raportin e publikuar ditë më parë thuhet se krijimi i një komisioni për vlerësimin e menaxhmentit nga Bordi i drejtorëve, i cili jep rekomandime në emër të Bordit të Drejtorëve, rezulton në devijim nga kërkesat ligjore dhe rrezik për cenimin e procesit të vlerësimit të performancës.

“Kompensimi shtesë për anëtarët e komisionit për një detyrë që ligjërisht i përket BD-së paraqet një shpenzim të panevojshëm, duke ndikuar buxhetin e Agjencisë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, pavarësisht që komisioni raporton rregullisht dhe Bordi drejtues merr vendimin përfundimtar, procesi nuk është në përputhje me ligjin, sepse vlerësimi i performancës është kompetencë e plotë e Bordit si dhe nuk mund të delegohet dhe kompensohet me shtesë.

Por, me këtë konstatim nuk është pajtuar Bordi i Drejtorëve të AKP-së.

“Bordi i Drejtorëve në përputhje me Statutin e Agjencisë (neni12) ka të drejtë të caktojë komisione të përhershme ose të përkohshme për trajtimin e çështjeve të veçanta që kërkojnë analizë të thelluar dhe angazhim të posaçëm. Në këtë bazë është themeluar Komisioni për Vlerësimin dhe Raportimin e Punës së Menaxhmentit si një trup funksional, ndihmës, pa cenuar kompetencat vendimmarrëse të Bordit”, thuhet në përgjigjen e Bordit Drejtues të AKP-së.

Sipas Bordit, asnjë dispozitë e Ligjit për AKP-në dhe asnjë rregullore e brendshme nuk e ndalon dhënien e kompensimit shtesë për anëtarët e Bordit që marrin pjesë në komisione të veçanta të themeluara nga vetë Bordi.

Por, ZKA-ja ia ka kujtuar Bordit që vlerësimi i performancës së menaxhmentit është pjesë përbërëse e punës së tyre dhe se krijimi i një komisioni të veçantë për këtë, nuk mund të justifikojë ndonjë kompensim shtesë financiar.

E nga Bordi i AKP-së është thënë se nëse kjo praktikë konsiderohet se duhet ndaluar ose rishikuar Bordi mbetet i hapur për ta pezulluar menjëherë.

Vendimi i gushtit të vitit 2023, për themelimin e Komisionit nuk ka qenë publik në faqen e AKP-së, siç publikohen vendimet e tjera të Bordit.

Në faqen që mban numrin e referencës së vendimit është arsyetuar kjo duke thënë se vendimi nuk është publikuar për shkak se ka të bëjë me çështje të brendshme, qoftë organizative apo procedurale të Agjencisë dhe përmban informacione të individëve të caktuar që mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Por, vendimi për vazhdim të mandatit është i hapur për publikun.