Në Kosovë nuk ekziston asnjë qendër rezidenciale për persona me autizëm që mbesin pa përkujdesje familjare. Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se përveç Klinikës së Psikiatrisë për fëmijë dhe adoleshentë, nuk ekziston asnjë institucion që ofron trajtim apo strehim për këtë kategori. Shteti pas moshës 18-vjeçare nuk e ofron asnjë shërbim për personat me autizëm
Arianit Hoti
Frikën se çfarë do të ndodhë me djalin e saj me autizëm, kur ajo dhe bashkëshorti të mos jenë më, Fitnete Grabovci e përjeton çdo ditë.
Djali i saj 20-vjeçar nuk ka asnjë mundësi për strehim apo mbështetje institucionale, sepse në Kosovë nuk ekziston asnjë qendër që kujdeset për persona me autizëm pas moshës madhore.
“Këto vitet e fundit, frika jonë më e madhe është se çfarë do të ndodhë me djalin tonë kur ne të mos jemi më. Kjo është barrë si për shtetin, ashtu edhe për ne si prindër, sepse dikush duhet të merret me këta persona kur rriten. Kur nuk i kanë më prindërit, kush kujdeset për ta? Është një brengë e madhe për secilin prind”, ka deklaruar ajo.
Grabovci thotë se problem tjetër për këta persona është edhe vazhdimi i shkollimit.
"Për shkollë të mesme as që kemi pasur ku të drejtohemi. Edhe sikur ta kishim çuar diku, do të duhej ta paguanim vetë një asistente. Por çfarë do të arrinte ai atje pa mbështetje, nuk e di", tha Grabovci.
Nga burimet, KOHA ka mësuar se persona me autizëm mbi moshën 50-vjeçare kanë kërkuar strehim në Institutin Special të Shtimes, por në këtë institucion kanë treguar se nuk merren me raste të autizmit dhe deri tash nuk kanë pranuar asnjë rast.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë konfirmuar se nuk ekziston asnjë qendër rezidenciale për këta persona.
"Në vendin tonë nuk ekziston ndonjë institucion i veçantë që merret specifikisht me trajtimin e personave me çrregullime të spektrit autik, përveç Njësisë së Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve, e cila funksionon në kuadër të QKUK-së, në Klinikën e Psikiatrisë. Kjo njësi merret me diagnostikimin dhe trajtimin e tyre", kanë bërë të ditur MSH-ja.
E, drejtoresha e Shoqatës së Autizmit, Hatixhe Hoxha, thotë se pas moshës 18-vjeçare nuk ofrohet asnjë shërbim për personat me autizëm.
Ajo ka thënë se shqetësuese është që edhe ligji për statutin e tyre vazhdon të mbetet i bllokuar në ministri prej vitesh.
“Shërbimet për fëmijët me autizëm janë shumë të kushtueshme dhe e përbëjnë një barrë të madhe për familjet. Prandaj, është e domosdoshme që të punohet më shumë si nga organizatat joqeveritare, ashtu edhe nga niveli qendror dhe ai lokal. Edhe pse ligji për shërbime sociale e obligon komunën t’i mbështesë OJQ-të që ofrojnë shërbime në territore të tjera, deri më tani nuk kemi marrë asnjë mbështetje, ndonëse kemi fëmijë nga shumë komuna të ndryshme. Pas moshës 18-vjeçare nuk ka më asnjë shërbim të dedikuar për këtë kategori. Ne po e presim nga niveli qendror miratimin e ligjit për statutin e personave me aftësi të kufizuara, por për fat të keq nuk jemi të përfshirë. Ky ligj ndodhet në Ministri prej vitesh, por ende nuk ka kaluar as në Qeveri, e as në Kuvend”, u shpreh Hoxha.
Sipas Hoxhës, personi më i vjetër me spektrin e autizmit në Kosovë është 60-vjeçar.
Institucionet nuk kanë statistika zyrtare për numrin e personave me autizëm në Kosovë. Megjithatë, sipas të dhënave të organizatave joqeveritare që merren me këtë çështje, numri i personave me autizëm në vend vlerësohet të jetë mbi 6 mijë.