Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nga 1 qershori aviokompanitë përfitojnë 3 deri në 6 € për secilin mërgimtar që e sjellin në Kosovë

Aeroport

Nga e hëna do të nisë zbatimi i masës së Qeverisë për subvencionimin e aviokompanive që sjellin mërgimtarët në Kosovë. Bazuar në një dokument që e ka siguruar KOHA, kompanitë do të përfitojnë nga 3 deri në 6 euro për pasagjer. Programi vlen për linjat për disa shtete evropiane dhe kushtëzohet me realizimin e fluturimeve mbi 85 për qind

Nga 1 qershori do të nisë të zbatohet programi i subvencionimit të linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën, tregon një dokument që ka siguruar KOHA e të cilin Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ua ka dërguar partnerëve.

Me këtë dokument të quajtur Programi i Mbështetjes së Konektivitetit për sezonin e verës së 2026-tës, është paraparë që kompanitë ajrore të subvencionohen nga 3 euro deri në 6 euro për çdo pasagjer.
Ky subvencionim do të vlejë për kompanitë ajrore që kanë linja fluturimi për në Zvicër, Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, Francë, Suedi, Finlandë, Norvegji dhe Danimarkë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për t’u bërë pjesë e këtij programi kompanitë ajrore duhet të dorëzojnë orarin operacional të fluturimeve në aeroport.

Dhe, subvencionimi do të bëhet pas rishikimit dhe verifikimit të performancës në fund të sezonit veror të aviacionit, që do të jetë 24 tetori i këtij viti.

Por, do të jenë tri kritere mbi të cilat do të jetë i mundur përfitimi nga kjo mbështetje e Qeverisë prej 2 milionë eurosh.

Sipas kriterit të parë, linja ajrore që pranohet për këtë program duhet të realizojë të paktën 85% të fluturimeve të planifikuara dhe nëse e realizon këtë, për çdo pasagjer që është nisur do të marrë 3 euro mbështetje.

Kriteri i dytë përcakton se nëse kompania ajrore bën më shumë fluturime sesa orari bazë që e ka planifikuar, do të kompensohet për 6 euro për secilin pasagjer shtesë që është nisur. Por për ta plotësuar këtë kusht, për secilin fluturim shtesë duhet që 80 për qind e vendeve në avion të kenë qenë të zëna.

Dhe kriteri i tretë i mbështetjes do të plotësohet nëse kompania ajrore hap linja në destinacione të reja që s’i ka pasur më parë nga Aeroporti i Prishtinës dhe ato funksionojnë me kapacitet prej 80 për qind të numrit të pasagjerëve dhe për secilin prej tyre do të kompensohet me nga 6 euro.

Në këtë dokument të Aeroportit thuhet se, në koordinim me palët relevante institucionale, iniciativa u mor për të ruajtur e rritur lidhjet ajrore të Kosovës me Evropën.

“Kjo iniciativë është dizajnuar për të mbështetur ruajtjen e qëndrueshme të kapaciteteve, për të inkurajuar rritjen strategjike të rrjetit dhe për të përmirësuar më tej konektivitetin ndërkombëtar ndërmjet Kosovës dhe tregjeve kryesore evropiane”, thuhet në dokument.

Vendimi i Qeverisë për subvencionim është marrë 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të qershorit.

Kryeministri Albin Kurti, partia e të cilit e gëzon në masë të madhe mbështetjen me votë të diasporës, është akuzuar për ndërhyrje në proces zgjedhor dhe për tendencë për blerje votash.

Por, të martën në konferencë për media, ai ka thënë se mendon që ka vepruar shumë mirë.

“Bëhet fjalë për një mbulim të një gjendjeje jo të zakonshme që po e bëjnë edhe shtete tjera dhe nuk ka të bëjë me muajin qershor, por ka të bëjë me komplet stinën e verës, deri në fund të tetorit. Pra, do të vepronim ndryshe po të kishim Kuvend. Meqë s’kemi Kuvend, veprojmë me çfarë mundemi e dimë dhe mendojmë që po veprojmë shumë mirë”, ka thënë Kurti.

Kurti e pati arsyetuar këtë vendim si domosdoshmëri përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve gjatë verës të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit