Arbëri

Avokati i Popullit i Shqipërisë i kërkon sqarime Qeverisë në Tiranë për mostrajtim falas të pacientëve nga Kosova

Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri ka kërkuar shpjegime nga Ministria e Shëndetësisë së këtij shteti, për mungesën e trajtimit reciprok të pacientëve kosovarë. Përgjigjja zyrtare sqaron se, përveç urgjencës mjekësore falas, çdo shërbim tjetër u ofrohet qytetarëve nga Kosova vetëm kundrejt pagesës, ndonëse mes dy shteteve ekzistojnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë

Avokati i Popullit i Shqipërisë i ka kërkuar sqarim Ministrisë së Shëndetësisë së këtij shteti lidhur me problematikën e ngritur një muaj më parë nga KOHA, për mungesën e trajtimit reciprok të pacientëve nga Kosova, veçanërisht në raport me shërbimin e hemodializës.

Ky institucion ia ka përcjellë KOHËS përgjigjen që Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka dhënë për këtë problem ku, ndonëse përmenden marrëveshjet për shërbim të ndërsjellë ndërkufitar, theksohet se qytetarët që nuk janë shtetas të Shqipërisë duhet të paguajnë për shërbimet shëndetësore.

“Në Republikën e Shqipërisë për shtetasit e huaj ofrohet falas vetëm shërbimi i urgjencës mjekësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shërbimet e tjera shëndetësore ofrohen kundrejt pagesës. Për më sipër, theksojmë se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbetet e angazhuar që, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet homologe të Republikës së Kosovës, të shqyrtojë mundësitë për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit në të ardhmen, duke marrë në konsideratë edhe aspektet financiare dhe praktike që lidhen me ofrimin e shërbimeve shëndetësore reciproke”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë të Shqipërisë për Avokatin e Popullit të këtij vendi.

Ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, ka theksuar se mes Kosovës dhe Shqipërisë ekziston një numër marrëveshjesh bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, mirëpo sfidë mbetet zbatimi i tyre në praktikë.

“Shërbimet e parashikuara nuk funksionojnë në praktikë dhe nuk janë ofruar gjithmonë në mënyrën e duhur. Një shembull konkret është ai i hemodializës. Situata e ngjashme vlen për marrëveshjet mbi barnat e rralla, laboratorët dhe kontrollin farmaceutik, të cilat mbeten të pjesshme ose në fazë diskutimi”, ka thënë Ukshini.

Ai ka shtruar nevojën për angazhim më të madh institucional mes dy shteteve, në mënyrë që marrëveshjet e nënshkruara të mos mbesin vetëm në letër.

“Një rol kyç u takon ambasadave dhe diplomatëve tanë, të cilët duhet të shërbejnë si mekanizëm monitorues në baza ditore, të evidentojnë mangësitë dhe t’i raportojnë ato tek institucionet përkatëse në Kosovë dhe Shqipëri. Vetëm përmes një monitorimi të tillë të vazhdueshëm, i kombinuar me raporte analitike dhe adresim në kanalet zyrtare, do të mund të përmbushet në praktikë ajo që është nënshkruar në letër”, ka deklaruar Ukshini.

Në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë kanë thënë më herët se autoritetet e Shqipërisë nuk kanë treguar mirëkuptim për ta gjetur një zgjidhje për pacientët kosovarë, të cilët kërkojnë trajtim në Shqipëri.

E gazetari nga Shqipëria, Osman Stafa, që mbulon çështje që ndërlidhen me shëndetësi, e ka vlerësuar të gabuar politikën e shtetit shqiptar për të mos i trajtuar pacientët nga Kosova pa pagesë, teksa Kosova këtë mundësi ua ofron atyre nga Shqipëria.

“Sa kohë që Kosova u vije në ndihmë shqiptarëve të veriut të Shqipërisë për të shpëtuar jetët e tyre, atëherë edhe Shqipëria, të paktën, do të duhej t’ia kthente si borxh shtetit të Kosovës, këtë çfarë bëjnë spitale e Kosovës për shqiptarët e Shqipërisë. Shqiptarët e Kosovës do të duhej të trajtoheshin sikurse shqiptarët e Shqipërisë. Në shëndetësi nuk do të duhej të kishte politikë”, ka thënë Stafa.

Në Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë dhe në atë të Shqipërisë kanë thënë të jenë njoftuar me këtë praktikë tek pas pyetjeve që ua ka adresuar KOHA në muajin gusht, për çka edhe kanë paralajmëruar nisjen e hetimit. 

Në spitalet në Gjakovë dhe Prizren, dhjetëra shtetas të Shqipërisë, kryesisht ata të brezit kufitar, marrin rregullisht shërbime, përfshirë edhe atë të hemodializës.

E shtetasit e Kosovës, që u rastiset të kryejnë hemodializë në Shqipëri, duhet të paguajnë deri në 150 euro.