Arbëri

Avokati i Popullit kërkon pezullimin e vendimit për shtrenjtim të rrymës

Foto ilustrim

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të pezullojë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, deri në përfundimin e hetimeve mbi ankesat e shumta të qytetarëve te ky institucion. 

Sipas Avokatit të Popullit, vendimi për rritjen e tarifave cenon të drejtat themelore të njeriut dhe rëndon veçanërisht grupet më të cenueshme të shoqërisë, përfshirë familjet në asistencë sociale.

Në reagim, Avokati i Popullit ngriti shqetësime serioze për ndikimin ekonomik që ky vendim ka ndaj qytetarëve dhe për mungesën e qasjes së barabartë në një shërbim bazë si energjia elektrike. Ai gjithashtu kritikoi mungesën e debatit institucional dhe publik, duke vënë në pah se vendimet janë marrë në një moment boshllëku institucional, kur vendi nuk ka pasur Kuvend të konstituuar dhe as Qeveri të mandatuar.

“Qeveria e Kosovës, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike, ka për detyrë të garantojë interesin publik, qasje të barabartë dhe përfshirje sociale në politikat energjetike”, thuhet në reagim, duke shtuar se vendime të tilla duhet të merren vetëm kur institucionet janë plotësisht funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e qytetarëve.

Avokati i Popullit ka theksuar nevojën që ZRRE-ja si institucion i pavarur të rrisë përgjegjësinë, transparencën dhe bashkëpunimin me institucionet tjera shtetërore, sidomos në vendimmarrje që prekin interesin publik në shkallë të gjerë.

Ai përmbylli thirrjen me apel për përgjegjësi të shtuar institucionale dhe për vendime të arsyetuara që reflektojnë realitetin social dhe ekonomik të vendit.

Me vendim të ZRRE-së, duke nisur nga 1 maji, është marrë vendim për shtrenjtim të rrymës për 16.1 për qind.