Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë në detyrë për ndarjen e nga 100 eurove për studentët, pensionistët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat.
Në konferencë për media, Azemi tha se punëtorët e sektorit privat janë diskriminuar në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se dallimi në mbështetje financiare është i madh dhe i padrejtë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Realisht ne mendojmë që sa herë që merr veprime Qeveria e Kosovës, që të stimulojë punëtorët, edhe publik, edhe privat, krijon një ndasi aq të madhe saqë është diçka e paparashikueshme”, deklaroi Azemi.
Ai tha se derisa punëtorët e sektorit publik kanë përfituar paga të 13-ta në vlerë totale prej rreth 65 milionë eurosh, sektori privat sipas tij do të përfitojë vetëm rreth 20 milionë euro në total.
“Punëtorët e sektorit publik kanë marrë mesatarisht 750 euro për pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm nga 100 euro për një punëtor”, tha ai.
Sipas Azemit, diskriminim ka edhe me kriteret e vendosura për përfitim.
“Në një farë forme degradimi tjetër është që na e kanë bërë, sepse punëtorët e sektorit publik kanë marrë edhe ata që kanë pagë mbi 1000 euro, kurse tek punëtorët e sektorit privat ky vendim nuk vlen dhe punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm ata të cilët e kanë pagën nën 1000 euro”, u shpreh Azemi.
Ai akuzoi Qeverinë se vendimi është marrë për arsye elektorale dhe jo për mbështetje reale të punëtorëve.
“Qeveria nuk e ka bërë nga vullneti, po e ka bërë nga përfitimet e saj personale, sepse ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve. Unë kam menduar që minimumi çka do të bëhej do të ishte së paku ndarja e një gjysmë page për punëtorët e sektorit privat, por të bien në nivelin e 100 eurove, kjo me të vërtetë është qesharake dhe jo njerëzore”, deklaroi ai.
Azemi tha se shumica e punëtorëve privatë mund të mbesin jashtë kësaj skeme për shkak të mungesës së kontratave dhe problemeve me kontributet pensionale.
“Jemi të bindur që nuk do të arrijnë as shifra 100 mijë punëtorë që do ta marrin këtë stimulim qesharak, sepse pjesa dërrmuese e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë fare kontrata pune. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë njohuri se si t’i mbushin aplikacionet dhe unë mendoj që edhe këtu është bërë një dredhi”, tha ai.