“Po të isha Sllobodan Millosheviq, do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998”, ka thënë Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezhana Paunoviq. Deklarata e saj nxiti reagime nga pjesë të opozitës në Serbi dhe Komisioni Evropian, me kërkesa për përgjegjësi politike e dënim të kësaj retorike. Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, i ka dalë në mbrojtje.
“Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”, ka thënë Paunoviq në një intervistë për “Kurir”.
Të martën, ndaj kësaj deklarate reagoi ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti. Ai u shpreh se deklarata e Paunoviqit tregon që Serbia s’është çliruar nga ideologjia gjenocidale.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar ai në Facebook.
E në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, në një reagim në Facebook, kanë thënë se “përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”.
Edhe
Daçiqi i del në mbrojtje ministres serbe për deklaratën fashiste ndaj Kosovës
“Deklarata e Snežana Paunović, ministre në Qeverinë e Serbisë, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën", rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 kanë qenë objekt i proceseve gjyqësore ndërkombëtare, ku udhëheqës të nivelit më të lartë politik, ushtarak dhe policor të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë për krime në Kosovë. Megjithatë, edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon politika që prodhuan mijëra viktima, dëbime masive, dhunë seksuale dhe zhdukje me dhunë. Ndërkohë, në Kosovë vazhdon puna për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Në IKKL dokumentojmë faktet dhe dëshmitë me bindjen se ato janë themel për drejtësi, pranim të krimeve dhe kërkimfalje institucionale. Sepse përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, shkruhet në reagimin e Institutit në Facebook.
E deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar duke thënë se do të iniciojë kërkesë për shkarkimin e saj. Ai ka bërë të ditur po ashtu se nëpërmjet një shkrese zyrtare ka kërkuar reagim nga ambasadat relevante në Beograd.
“Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto obligime dhe tejkalojnë çdo standard demokratik mbi të cilin bazohet Bashkimi Evropian. Në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres”, ka thënë Kamberi në faqen e tij në Facebook.
Reagimi nga BE-ja
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklarata nxitëse dhe të respektojnë detyrimet nga normalizimi i raporteve me Kosovën. Këtë e ka thënë zëdhënësja për politikë të jashtme e BE-së, Anita Hiper.
KOHA ka pyetur në Komisionin Evropian nëse një deklaratë e tillë është në përputhje me vlerësimin pozitiv që ka bërë Komisioni Evropian për Serbinë dhe me vlerësimin se Serbia po sillet në mënyrë konstruktive edhe në dialog për normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Ne nuk duam të komentojmë komentet. Por jam e lumtur t’ju jap pozicionin tonë kryesor dhe parimin kyç se nuk duhet të ketë vend në Evropë për retorikë, justifikim apo avokim të pastrimit etnik”, është përgjigjur Anita Hiper. “Deklaratat e tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Ato shkojnë edhe kundër obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pra, ne presim nga të gjithë liderët që të përmbahen nga çfarëdo retorike nxitëse dhe të japin kontribut për një ambient të besimit dhe stabilitetit në rajon”.
Nga Komisioni Evropian kanë thënë se vlerësimin e fundit pozitiv që kishin bërë për Serbinë e kishin bërë mbi kushtet specifike për grup-kapitullin 3 dhe me këtë vlerësim nuk kanë thënë se “gjithçka është në rregull në Serbi”. Por pikërisht në atë vlerësim, me të cilin Komisioni Evropian ka tentuar t’i bindë shtetet e BE-së që të hapin kapituj me Serbinë, është dhënë edhe vlerësimi pozitiv për angazhimin e Serbisë në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.
BE vazhdimisht ka bërë thirrje që të mos mohohet gjenocidi, të mos relativizohen krimet e luftës dhe të mos glorifikohen kriminelët e dënuar për krime lufte. Por, përkundër kësaj, BE nuk ka ndërmarrë masa ndaj atyre personave që mohojnë gjenocidin dhe relativizojnë krimet e tilla.
Reagimet në Serbi
Disa lëvizje politike dhe nga shoqëria civile në Serbi kanë kërkuar dorëheqjen e Paunoviqit.
Lëvizja e Qytetarëve të Lirë në një deklaratë ka kërkuar largimin e Paunoviqit duke e cilësuar shoviniste deklaratën e saj.
“Një person që justifikon dëbimin e njerëzve vetëm për shkak të kombësisë së tyre nuk mund të jetë anëtar i Qeverisë së Republikës së Serbisë”, thuhet në reagim.
Partia e Qendrës së Serbisë ka kërkuar nga kryeministri Gjura Macut qëndrim për deklaratën e Paunoviqit.
Edhe
Ministrja në Qeverinë e Serbisë: Po të kisha qenë në vend të Millosheviqit, do e kisha spastruar etnikisht Kosovën
Grupi punues i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian ka dënuar deklaratën dhe ka bërë thirrje për shkarkim të menjëhershëm.
Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës pos shkarkimit ka kërkuar edhe ndjekjen penale për deklaratë fashiste.
Ndërkaq Partia Demokratike ka thënë se deklarata ishte “provokim i qëllimshëm e thënë me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq”.
Mbrojtja nga Daçiqi
Por në mbrojtje Paunoviqit i ka dalë zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Sipas Daçiqit është i turpshëm dhe hipokrit reagimi ndaj saj.
“Dua të them se është e turpshme që deri tash asnjëherë s’kam dëgjuar fjalë nga politikanë të brendshëm që dënojnë spastrimin etnik të serbëve nga Kosova. Në kushtet ku edhe sot kemi emigrim të detyruar të serbëve nga Kosova, ndryshim të strukturës etnike, për të mos e përmendur presionin shekullor, emigrimin dhe dëbimin e serbëve nga Kosova, ende njerëzit flasin për këtë në Serbi dhe na akuzojnë për gjoja spastrim etnik në Kosovë”, ka thënë Daçiqi, duke bërë të ditur se po reagim si zëvendëskryeministër i shtetit.
Sipas tij, nga Kosova janë dëbuar 240 mijë serbë më 1999 dhe më pak se 10 mijë prej tyre janë kthyer, sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Daçiqi ka përsëritur pretendimin se historikisht “Kosova ka qenë territor i Serbisë”.
“Dhe tani Snezhana Paunoviq është fajtore për spastrim etnik? Turp. Ajo ka thënë të gjithë ata që nuk e ndiejnë Serbinë duhet të rikthehen në vendin e tyre të origjinës, shtetin e Shqipërisë. Çfarë lloji i spastrimit etnik është ky kur ka më pak serbë se që ka shqiptarë? Si mund të jetë kjo? Epo Holokausti nuk përfundoi me më shumë hebrenj sesa para Holokaustit. Pra është legjitime të ndiqen dhe të vriten serbët, të thuhet se serbët duhet të largohen, të dëbohen serbët dhe nuk është legjitime të thuhet diçka në mbrojtje të Serbisë”, ka thënë Daçiq.
Kush është Paunoviq?
Sipas biografisë së saj në uebfaqen e Qeverisë së Serbisë, Paunoviq u lind në Pejë më 1975. Ajo është ekonomiste dhe ka qenë pjesë e jetës aktive politike në Serbi për shumë vjet si anëtare e Partisë Socialiste (SPS).
Karrierën e ka ndërtuar fillimisht duke u bërë deputete më 2013. Gjatë mandatit, ishte pjesë e disa komisioneve.
Ka shërbyer edhe si zëvendëspresidente e Parlamentit për dy mandate dhe ka qenë kryetare e grupit parlamentar “Ivica Daçiq – Partia Socialiste e Serbisë”.
Është anëtare e subjektit të saj partiak që prej vitit 1992. Ka mbajtur disa poste në parti. Prej 2024 është zëvendëskryetare.
Edhe
“Serbia s’u çlirua nga politikat gjenocidale” – nxit reagime kërcënimi i ministres serbe
Gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë. Mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1500 figurojnë ende të zhdukur. Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka dënuar disa prej udhëheqësve të asaj kohe për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” me synim dëbimin e qindra mijëra civilëve shqiptarë më 1999. I akuzuari kryesor, ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, vdiq më 2006 gjatë paraburgimit, para përfundimit të gjykimit.