Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka thënë se nuk ka besim se mekanizmat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), do të ndërmarrin masat e nevojshme për çështjen e njehsorëve elektrikë.
Në emisionin “Konfront” në KTV ai i ka thënë këshilltarit në MINTI, Ali Tafarshiku, se për këtë arsye dëshmitë që njehsorët kanë pasur orë në shpërputhje me orën reale, i ka dërguar në Prokurori e në Drejtorinë e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Shteti e ka për obligim ta mbrojë qytetarin, unë po them që ty nuk po të besoj se ti ke qenë në gjumë, ti nuk ke bërë asgjë, për këtë kam shkuar në Prokurori, kam shkuar te krimet ekonomike, kam thënë ja ku i keni dëshmitë”, është shprehur Azemi.
Ai ka thënë se edhe Ministria obligohet të ju dërgojë të gjitha dëshmitë organeve të drejtësisë.
Tafarshiku: Në 90 për qind të njehsorëve pati datë ose orë të gabuar
Këshilltari në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Ali Tafarshiku, ka thënë se nga data 31 mars e deri më tani kanë pranuar gjithsej 664 ankesa nga qytetarët për shpërputhje të orës që figuron në njehsorë me atë reale.
Tafarshiku në emisionin “Konfront” në KTV, ka bërë të ditur po ashtu se pesë gjoba janë shqiptuar sot ndërsa shtatë të tjera janë në proces.
“Njehsorët e skaduar i kemi verifikuar dhe menjëherë inspektorati ka vijuar të shqiptojë gjoba, pesë sot, shtatë janë në proces. Nga data 31 mars deri në këtë moment i kemi 664 ankesa, prej tyre 444 janë në formën elektronike që i kanë bashkëngjitur edhe argumentet me foto ndërsa 220 tjera kanë qenë thirrje telefonike për të cilat komisioni verifikues është duke dalur çdo ditë në teren. Në bazë të rezultateve të deritanishme rezulton që 90 për qind rezulton që koha reale nuk përputhet me kohën që figuron në njehsorë”, ka thënë Tafarshiku.
Mospërputhje në njehsorë siç potencoi Tafarshiku ka edhe në datë dhe se 90% e njehsorëve për të cilët janë adresuar ankesa kanë datë ose orë të gabuar.
“Kemi diferencë prej 12 orësh, kemi diferencë prej 4-5 ditëve në përputhje të datave”, deklaroi këshilltari i MINTI-t.
Azemi: Qytetarëve duhet kthyer paratë për rrymën e regjistruar gabimisht
Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka dështuar të mbrojë qytetarët nga manipulimet e KEDS-it.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Azemi ka thënë se njehsorët elektrikë nuk e kanë matur shpenzimin e energjisë elektrike me çmim më të lirë siç parashihet nga ora 22:00 ose 23:00 gjatë verës, prandaj ai deklaroi se të hollat që janë faturuar gabimisht, duhet t’iu kthehen qytetarëve.
“Unë po e vë në pikëpyetje të drejtën ligjore të secilit qytetar që prej orës 22:00 dhe 23:00 gjatë verës energjia të faturohet me të lirën, këtu është thelbi. Ministria po e fshehë pjesën tjetër, ne e kemi ngritur si çështje shpenzimin me të lirën dhe të shtrenjtën. Ne duam ta dijmë sa është dënuar KEDS-i dhe dënojeni por si shtet duhet të kujdesën që t’ia kthejnë qytetarëve të hollat që i kanë faturuar gabimisht”, ka thënë Azemi.
Sipas Azemit MINTI ka dështuar fillimisht për faktin që nuk e ka zbuluar këtë skandal ndërsa i ka quajtur manipulative deklarimet se po matet saktë shpenzimi i energjisë elektrike nga qytetarët.
“Ministria ka dështuar të mbrojë qytetarët për disa arsye; E para që nuk e ka zbuluar këtë skandal për të cilin po thonë se paska orë të cilat e kanë kaluar vlefshmërinë dhe kanë dalur e kanë shqiptuar disa gjoba për të cilat nuk e di sa. Janë 700 mijë njehësorë elektrikë e ato nuk qenkan kontrolluar asnjëherë. Kur plasi skandali që u nxorr nga LDK-ja, dolën sërish me deklarata manipulative ku thonë se po matet shpenzimi saktë”, është shprehur Azemi.
Në një konferencë për media gjatë ditës, Visar Azemi nga LDK-së, e ka quajtur skandaloze edhe deklaratën e lëshuar nga MINTI për gjobat e shqiptuara ndaj KEDS-it, për njehsorët elektrikë me afat të skaduar.
Një ditë më parë, MINTI ka sanksionuar KEDS-in, por nuk e ka treguar shumën. E, burime të KOHËS bënë të ditur se kompania është gjobitur me gjithsej 6 mijë euro për dy njehsorë me afat të skaduar.
MINTI, në njoftimin e së martës, ka bërë të ditur se gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.