Banorët e Miradisë së Epërme dhe ata të Vragolisë në Fushë-Kosovë thonë të jenë në hall me mbeturinat inerte që hidhen vazhdimisht në këto dy fshatra. Ata po e akuzojnë ekzekutivin komunal se është treguar neglizhent ndaj këtij problemi.
Vlonjat Hasani nga fshati Miradi e Epërme thotë se kjo deponi në fshat fillimisht është bërë nga banorët e fshatit Preoc të Graçanicës. Sipas tij, aty tash hedhin edhe banorë të Miradisë së Epërme, por mbeturinat hidhen edhe nga fshatrat tjera.
“Mbetruinat e materialit ndërtimor këtu në Miradi të Epërme kanë filluar të hidhen fillimisht nga banorët e fshatit Preoc të Graçanicë. Pastaj këtu kanë filluar të gjuajnë mbeturina edhe banorë të fshatit, por edhe banorë tjerë që nuk janë të Miradisë së Epërme. Siç edhe po shihet, bregu i lumit Graçanka këtu në Miradi të Epërme është shndërruar në deponi të materialit ndërtimor. Pra përveç lumit që është mjaft i ndotur, mbetruinat këtu po e degradojnë edhe më shumë ambientin në fshat”, ka thënë Vlonjat Hasani.
Ai ka theksuar se banorët kanë kërkuar shumëherë nga Komuna e Fushë-Kosovës që t’i largojë këto mbeturina, por sipas tij, ajo ka intervenuar vetëm njëherë para dy vjetësh, e cila i ka hequr pjesërisht mbeturinat dhe e ka vendosur një tabele aty “që ndalohet hedhja e mbeturinave”.
“Komuna më nuk i ka larguar mbeturinat këtu edhe pse kemi kërkuar vazhdimisht një gjë të tillë. Banorët disa herë kanë marrë iniciativa në forca të vetat për pastrimin e kësaj pjese, për shkak të neglizhencës së Komunës. Por, ka qenë e pamundur të ndalohet përfundimisht ndotja dhe grumbullimi i pakontrolluar i bërllokut. Ne kërkojmë nga organet komunale që t’i largojnë njëherë e përgjithmonë këto mbeturina dhe të mos lejohet hedhja e tyre këtu”, ka thënë ai.
Deponi edhe më e madhe e mbeturinave është në fshatin Vragoli. Banorët thonë se deponia ka qenë edhe më afër shtëpive, por Komuna e ka zgjatur asfaltin në këtë rrugë dhe tash mbetruinat hidhen rreth 50 metra tutje.
“Ne jemi në hall me këto mbeturina që gjuhen vazhdimisht këtu. Unë nuk mundem me punu as livadhin që e kam këtu, prej mbetruinave. Edhe pse drejtori i Urbanizmit të Komunës jeton këtu, nuk ka bërë asgjë për largimin e mbeturinave në fshat. Të vetmen gjë që e ka bërë është shtrimi edhe të një pjese të asfaltit që mbetrinat të hidhen pak më larg shtëpisë së tij”, ka thënë në kushte anonimiteti një banor i fshatit Vragoli.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë që nga data 14 korrik, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
{gallery}