Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet një person pas vdekjes së punëtorit në vendin e punës në Prizren

arrestim - pranga

Foto ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Një person është arrestuar lidhur me vdekjen e një 24-vjeçari në vendin e punës në Prizren të hënën.

Policia ka njoftuar në raportin 24-orësh se i arrestuari është dërguar në mbajtje. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rasti është iniciuar si “asgjësim, dëmtim apo heqje e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës”.

“Prizren/22.06.2026 – 08:00. Viktima mashkull kosovar derisa ka qenë në vendin e punës është lënduar nga një mjet pune. Nga lëndimet e marra viktima ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim. 

Vdekja e 24-vjeçarit nga Malisheva në vendin e punës, ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për kushtet e sigurisë dhe mbrojtjen e punëtorëve.

Eksperti i sigurisë në punë, Minir Fetahu, ka thënë se shumë nga aksidentet fatale mund të parandalohen nëse zbatohen rregullat dhe shtohet kontrolli në terren.

“Shumë nga këto aksidente apo humbje jetësh mund të ishin parandaluar me mbikëqyrje më të rreptë. Duhet me vazhdu inspektimi dhe mos me qenë publik. Duhet me shku papritmas në vendet e punës dhe jo me i lajmëru”, ka thënë Fetahu.

Ai ka kërkuar rregullim më të qartë të punës gjatë temperaturave të larta, duke propozuar reduktim të orarit për punëtorët që punojnë në ambiente të hapura.

E sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ky është rasti i 13-të që punonjësit kanë humbur jetën në vendet e punës këtë vit.

Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi, ka thënë numri kaq i madh i viktimave dëshmon për dështim të sistemit të mbrojtjes në punë.

"Faji kryesor qëndron në radhë të parë tek pronarët e kompanive, pastaj vjen Inspektorati i Punës, me inspektorë të pakualifikuar. Nëse ende pa i bërë gjashtë muaj kemi 13 vdekje në vendin e punës, kjo tregon se diçka nuk është në rregull", ka thënë Azemi.

Për numrin e viktimave në vendet e punës ka të dhëna të ndryshme.

Gjatë vitit të shkuar, sipas Inspektoratit të Punës, 19 punëtorë kanë humbur jetën e sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ky numër është mbi 30.