Arbëri

Barduani: Ka shqetësime për qëndrueshmërinë e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura

Enrico Barduani

Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR-it derisa theksoi se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 1999, ka shtuar se ka shqetësime për qëndrueshmërinë e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura. 

Ai ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura. 

“Sigurisht, situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm që nga nisja e KFOR-it, dhe dëshmia më e prekshme për këtë është fakti që sot forcat e KFOR-it janë reduktuar në më pak se 10% të asaj që ishin në vitin 1999. Dhe kjo nuk është aspak një arritje e vogël. Megjithatë, ende ka shqetësime për qëndrueshmërinë e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, dhe pikërisht për këtë arsye roli i KFOR-it mbetet kritik, si dhe thelbësor për t’u parë si pjesë integrale e angazhimit të vazhdueshëm të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare. NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i po luan rolin e vet në këtë drejtim. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha ai ndër të tjera.

Gjeneralmajori Barduani përfundoi mandatin e tij si Komandant i KFOR-it, duke ia dorëzuar detyrën gjeneralmajorit të ushtrisë Turke, Özkan Ulutaş.

Në ceremoninë e ndërrimit të Komandës në Shtabin e KFOR-it po marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe disa prej ministrave në detyrë.

 

Ulutash rikthehet në komandën e KFOR-it: Prioriteti im është siguria për të gjitha komunitetet

4 o. më parë / 3 tet 2025 12:15 Nga: Ekonomia Online
ulutash

Gjeneralmajori i Ushtrisë Turke, Özkan Ulutash, është rikthyer në krye të komandës së KFOR-it.

Në fjalën e tij, Ulutash premtoi përkushtim dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të misionit për të siguruar një ambient të sigurt dhe liri lëvizjeje për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“KFOR-i ka shërbyer shumë mirë për Kosovën dhe është i gatshëm për çdo sfidë të sigurisë që mund të lindë. Po ashtu, dua të falënderoj KFOR-in për respektin dhe mbështetjen e dhënë ndaj partnerëve dhe komunitetit që shërben. Si pjesë e KFOR-it, prioritetet e mia gjatë këtij misioni kanë qenë gjithmonë të siguroj një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe të mbroj sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, deklaroi ai.