Artikulli i përditësuar (11:45) - Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se aksioni i zhvilluar sot në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, si dhe në disa lokacione të tjera, është realizuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontroll ndaj të dyshuarve për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo Autoritetit Zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Siç bëhet e ditur, të pandehurit A.Q. dhe N.K., në bashkëveprim dhe pas një marrëveshjeje paraprake dyshohen se kanë përdorur dokument të falsifikuar të titulluar “Kontratë për këmbim e paluajtshmërive”, të datës 11.02.1966.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhet në njoftim.
Gjatë hetimeve, dyshohet se A.Q., dhe N.K., me ndihmën e personit zyrtar A.B., kanë arritur që dokumentin e falsifikuar ta paraqesin si autentik, duke vulosur dhe përfshirë në arkivat e gjykatës, ndonëse një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare.
“Po ashtu, i dyshuari A.B. në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke krijuar dosje fiktive dhe duke mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë”, thuhet më tej në komunikatë.
Ndërkohë, të dyshuarit B.Sh., dhe M.B., në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë aprovuar ankesën e palës, përkatësisht të pandehurit N.K., duke obliguar komunën e Prishtinës që të regjistroj pronën në emër të tij.
Për rastin ka reaguar edhe ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli. Ajo ka thënë se për kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për tjetërsim të pronave.
“Për një kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për abuzime, deri në elemente të krimit të organizuar, në tjetërsimin e pronave publike. Mijëra hektarë janë kaluar përmes procedurave të dyshimta, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh kanë dështuar t’i parandalojnë, madje në raste të caktuara dyshohet se edhe kanë kontribuar në këtë fenomen. Që nga marrja e detyrës si ministre, kam ndërmarrë hapa konkretë për ta luftuar këtë dukuri, duke emëruar drejtorin e ri në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe duke kërkuar rishikimin e rasteve të dyshimta. Ne jemi të vendosur kundër çdo forme të krimit dhe keqpërdorimit të pronës publike, pa asnjë kompromis”, ka shkruar ajo në Facebook.
Pacolli e ka mirëpritur aksionin, por ka thënë se është i vonuar. Ka shtuar se Ministria është në dispozicion për të ndihmuar në zbardhjen e rasteve.
Përfundon me të arrestuar aksioni në Agjencinë Kadastrale
B.SH., zyrtar i lartë në Agjencinë Kadastrale, është arrestuar nga aksioni i Prokurorisë Themelore gjatë ditë së sotme, ka mësuar KOHA.
KOHA në vend të ngjarjes ka parë teksa B.SH. nxirrej me pranga në duar, i shoqëruar nga Policia e Kosovës.
Bastisje tek Agjencia Kadastrale
Një bastisje është duke u zhvilluar në objektin e Agjencisë Kadastrale në Prishtinë.
KOHA mëson se hetimi po zhvillohet lidhur me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Deri më tani një pjesë e zyrtarëve policorë nga Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit janë larguar nga objekti me qese letre në të cilat kanë vendosur provat.
Aksionin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Ajo ka thënë se për detaje do të njoftojnë më vonë.

