Arbëri

BE-ja: Çdo vendim për ndërtim urash mbi Ibër duhet të merret me përfshirjen e të gjitha komuniteteve

Urat mbi Iber

Fotografia e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë se çdo vendim për çfarëdo ndërtimi përgjatë lumit Ibër në Mitrovicë, duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, me përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve të prekura.

“BE-ja nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të”, ka thënë ky zëdhënës për Radion Evropa e Lirë, pas paralajmërimit të autoriteteve të Kosovës për ndërtimin e dy urave në dy krahët e urës kryesore mbi Ibër.

Ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje publikoi fotografi se si do të dukeshin këto dy ura. Ato dukeshin në të dy anët e urës kryesore. E fotografia ishte publikuar pasi ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se bashkë me komunat e Mitrovicës në jug dhe në veri, Ministria ka arritur memorandum bashkëpunimi për mbështetje të projekteve infrastrukturore – e si projekt i përbashkët përmendi ndërtimin e dy urave.

Ura mbi Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë. Vitin e kaluar, Qeveria njoftoi se planifikon ta hapë dhe menjëherë pati reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

BE-ja pati thënë se çështja e hapjes së kësaj ure duhet të jetë temë e dialogut Kosovë-Serbi.