Arbëri

BE-ja e shqetësuar për mënyrën si ndahen te gjyqtarët e prokurorët rastet e korrupsionit

Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, është shprehur shqetësimi për mënyrën se si gjyqtarëve dhe prokurorëve u ndahen lëndët për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Në të jepet vërejtje edhe për ndikimin e dyllojtë në sistemin e drejtësisë

Dy lloje ndikimesh të dëmshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë i ka identifikuar raporti i Komisionit Evropian.

Në dokument është konstatuar se gjyqtarët e prokurorët përballen me ndikim edhe politik e edhe nga hierarkia e sistemit gjyqësor e prokurorial.

“Derisa janë regjistruar disa raste të ndikimit të papërshtatshëm brenda sistemit, është thelbësore që stafi i sapoemëruar gjyqësor të funksionojë me pavarësi të plotë, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët duhet të mbrohen nga ndikimi i papërshtatshëm, edhe nga hierarkia brenda sistemit”, thuhet në raport. “KGJK-ja dhe KPK-ja duhet t’i bëjë prioritet nevojat institucionale në bazë të resurseve të disponoheshme njerëzore e financiare, duke u përqendruar në veprime që rrisin performancën dhe qasjen në drejtësi”.

Raporti konstaton progres të kufizuar në aplikimin e standardeve evropiane të gjyqësorit.
Në të është shprehur edhe shqetësimi për mënyrën se si lëndët e korrupsionit u ndahen gjyqtarëve e prokurorëve.

“Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL-i) mundëson ndarjen e lëndëve te gjyqtarët dhe prokurorët në mënyrë rastësore, sidoqoftë, kjo nuk po zbatohet me konsistencë. Në fakt, regjistrimi fizik i rasteve është rikthyer në të gjitha nivelet e gjyqësorit si mjet për regjistrim paralel. Ky është shqetësim veçanërisht në nivelin e Gjykatës së Apelit dhe në Prokurorinë Speciale, që merret ekskluzivisht me nivelin e lartë të korrupsionit dhe me krimin e organizuar”, thuhet në raport.

Përkitazi me gjetjet dhe shqetësimet e shprehura nga Komisioni Evropian, KOHA ka adresuar pyetje te Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial, e edhe te Kryeprokurori i Shtetit, por asnjëri prej këtyre institucioneve nuk ka kthyer përgjigje.

E, gjetjet janë komentuar nga Prokuroria Speciale, por ka munguar përgjigjja për vërejtjet që lidhen me ndarjen e lëndëve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mirëpret Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2025, i cili ka vlerësuar lart suksesin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, të dyja këto vepra penale që bien në kompentencë të Prokurorisë Speciale. Sipas Raportit, Kosova ka shënuar përmirësim të dukshëm në trajnimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka treguar sukses në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë rritjen e numrit të aktgjykimeve përfundimtare dhe shqiptimin e dënimeve nga gjykatat”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Në bazë të raportit të KE-së, Kosova ka bërë përparim në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit më të lartë, duke e rritur numrin përfundimtar të dënimeve, por është shprehur brenga për rënien në numrin e hetimeve dhe dënimeve në korrupsionin e nivelit të ulët.