Arbëri

BE-ja përgëzon Kosovën e Serbinë për targat, i fton për kthim në dialog

DIALOGU KOSOVË-SERBI

Vendimin për heqjen e letrave ngjitëse për targat e automjeteve, e ka mirëpritur përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell dhe ka thënë që kjo është një shenjë që dëshmon se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i mundshëm. Analistë në Kosovë thonë se ky reagim nënkupton thirrje për themelimin e Asociacionit

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të dielën për vazhdim të punës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Përmes një reagimi, Borrell ka theksuar se shfuqizimi i tërësishëm i regjimit të letrave ngjitëse për targat e automjeteve është dëshmi se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë deri te normalizimi i marrëdhënieve.

“Vendimi është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të zotimeve të kaluara nga Dialogu të lidhura me lirinë e lëvizjes. Dëshmon se është e mundur arritja e përparimit në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe thekson rëndësinë e vazhdimisht të punës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar ai. “Kjo po ashtu përbën një hap në drejtimin e duhur drejt integrimit më të mirë rajonal dhe Evropian të Ballkanit Perëndimor, nga çfarë përfundimisht përfitojnë qytetarët e rajonit”.

Serbia në fund të vitit të kaluar, mori vendim që nga 1 janari i vitit 2024 të lejohet hyrja e veturave me targa RKS në territorin e saj, pa pasur nevojë të vendosen letra ngjitëse në simbolet që janë në targa.

Ndërkohë, më 4 janar edhe Qeveria e Kosovës mori vendim që të hiqen letrat ngjitëse nga targat e Serbisë.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë se reagimi i Borellit është thirrje për Prishtinën dhe Beogradin për kryerjen e obligimeve që vijnë nga marrëveshjet e nënshkruara, përfshirë dhe themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

“Ajo që duhet të bëjë qeveria në vend të lojërave se a e ka pranuar apo jo, të bëjë një hapë para një hapë mbrapa, duhet të fokusohet në maksimalizimin e përfitimeve nga oferta amerikane dhe evropiane, në këtë mënyrë të mos e shndërrojë veten në bllokuese të Asociacionit, pasi vetëm se sa do të rriten masat ndaj Kosovës”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka theksuar se presionet ndaj Kosovës dhe Serbisë do të shtohen për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen këtë vit në nëntë shtete të Bashkimit Evropian. Në qershor priten të mbahen zgjedhjet edhe për Parlamentin Evropian.

“Qeveria duhet të bëjë çmos që brenda këtyre kufizimeve të arrijë maksimimunin e përfitimeve për Kosovën, nuk guxon që për gjëra të vogël të humb kohë se të gjitha këto do t’i kthehen bumerang dhe do të ndëshkohet. Asociacionit është një temë që do të vlerësohet edhe kryeministri Kurti dhe shteti i Kosovës”, ka thënë ai.

Në opozitë kanë vlerësuar se drafti i statutit të Asociacionit është i dëmshëm për vendin. Kryetari i partisë Demokratikë të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se ekzekutivi është duke e manipuluar publikun, duke krijuar paqartësi nëse e ka pranuar apo jo draftin.

“Hapësira për taktika i është minimizuar totalisht kryeministrit dhe ai duhet të merr një vendim një herë në jetën e tij për këtë çështje. Të jetë i qartë, e pranoi ose e refuzoi, pasi nuk mund ta shtyjë gjatë me këtë paqartësi dhe manipulim sikur deri tash”, ka thënë ai.

Sipas tij, Asociacioni dhe dialogu është barrë e rëndë për kryeministrin Kurti, andaj zgjedhjet e parakohshme janë në horizont për vitin 2024.

“Ai duhet të vendosë ose duhet të pranojë dhe të miratojë draftin për statusin e asociacionit dhe ta dërgojë në Kushtetuese ose ta refuzojë. Cilindo prej këtyre veprimeve do të ketë pasojat për të personalisht dhe Qeverinë që ai udhëheq, ka thënë Krasniqi.

E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qeveria nuk do të pranojë asgjë derisa BE-ja të kthejë përgjigje në komentet që ekzekutivi i ka dërguar mbi draftin e Asociacionit.

“Qeveria vetëm ka dorëzuar komentet dhe e treta që nuk mund të këtë mekanizëm tjetër jashtë mekanizmit të institucioneve të Kosovës që bënë zbatim të tij. Prandaj deri sa në këto argumente i kemi këto situata është vështire të besohet që kjo qeveri mund të zbatoj diçka e cila rrezikon rendin kushtetues apo krijon një nivel të ri të qeverisjes në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.

Draftin për Asociacionin, emisarët euro-perëndimorë e dorëzuan në Prishtinë më 21 tetor. Deri më tani draftin kanë arritur ta shohin vetëm ekzekutivi dhe partitë opozitare.

Kosova dhe Serbia vlerësohet se janë larg marrëveshjes finale për normalizim të raporteve, ndonëse dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka nisur që në vitin 2011.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar marrëveshjen për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas propozimit të BE-së, me nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Aneksit të Ohrit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më 2015 për parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja e 2015-s nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.