Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosovarët do të mund t'i përdorin telefonat, pa shpenzime romingu, edhe në BE

Zona Roaming

Komisioni Evropian (KE) ka propozuar formalisht nisjen e negociatave për heqjen e shpenzimeve të romingut me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. 

Sipas këtij propozimi, negociatat do të zhvilloheshin ndaras me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. E pasi që të finalizohen marrëveshjet përkatëse me këto vende, atëherë qytetarët e Kosovës dhe të vendeve të tjera të rajonit kur të udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Evropian (BE) do të mund t’i përdorin telefonat e tyre pa shpenzime shtesë, sipas sistemit “roam like at home” (Roming sikur në shtëpi).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në mesin e vendeve të BE-së qëmoti janë hequr shpenzimet për roming. Po ashtu vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë zvogëluar apo hequr shpenzimet për roming mes vete. BE-ja tash synon që t’i heqë këto shpenzime edhe mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Për të nisur negociatat me vendet e rajonit të Ballkanit, Komisioni Evropian duhet ta marrë mandatin nga Këshilli.

Paula Pinho, e cila është zëdhënëse në Komisionin Evropian, ka thënë se me këtë BE-ja dëshiron të integrojë edhe më shumë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo mundësi, nëpërmjet integrimit gradual të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së, është paraparë edhe në Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në vitin 2023.

Nga mundësia për përdorim të telefonit pa pagesa shtesë do të përfitojnë edhe qytetarët e rajonit gjatë vizitave në vendet e BE-së, e edhe miliona turistë evropianë që i vizitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Sot po ndërmarrim një hap të rëndësishëm për partnerët në Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt përfshirjen në familjen e roamingut në BE. Ky është një lajm i mirë për qytetarët por edhe për bizneset në rajon”, ka thënë Henna Virkkunen, zëvendëspresident e Komisionit Evropian për teknologji. 

Këtë lajm e ka vlerësuar edhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos.

“Çmimet e roamingut janë problem për njerëzit anekënd Ballkanit Perëndimor. Këto shpenzime ndikojnë në punëtorët apo familjet që rregullisht kalojnë kufirin apo thjesht ata që duan të jenë në kontakt. Faturat e befasishme apo shpenzimet e rritura janë diçka që nuk ekzistojnë më në BE. Sot po propozojmë zgjerimin e kësaj mundësie edhe për Ballkanin Perëndimor. Kjo do të sjell telefonime më të lehta dhe mundësi përdorimi të internetit me shpenzime sikur në shtëpi”, ka theksuar Kos.
Në Komisionin Evropian kanë thënë se tashmë ka kompani të telefonisë mobile që janë lajmëruar si vullnetarë për t’i ulur tarifat porse mund të ketë edhe të atillë që nuk do t’u pëlqen heqja e shpenzimeve për roaming, pasi që përfitojnë nga një gjë e tillë. 

Bashkimi Evropian e ka iniciuar “Roam Like at Home” në qershor të vitit 2017. Ai zbatohet për shtetet anëtare të BE-së dhe për vendet e zonës ekonomike evropiane. Në janar të këtij viti, rregullorja është zgjeruar edhe për Ukrainën dhe për Moldavinë.

Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut – po ashtu synojnë që një ditë të bëhen anëtare të bllokut. Nga të gjashtë vendet, Kosova është e fundit në rrugën evropiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka status të vendit kandidat. Prishtina zyrtar ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022.