Arbëri

Berisha i AAK-së i kërkon opozitës votimin e Haxhiut për kryeparlamentare

Me një kërkesë të pazakontë nga kolegu i tyre u përballën partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë. Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, u kërkoi PDK-së, LDK-së e AAK-së hapjen e rrugës për konstituimin e institucioneve. Veprimi i Berishës u mirëprit nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Thirrjen për ndryshim të qëndrimeve, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, të hënën e drejtoi kah opozita e deritanishme.

 

Ai u kërkoi deputetëve të PDK-së, LDK-së e AAK-së që t`i hapin rrugën zgjedhjes së kandidates së VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e edhe formimit të Qeverisë.

 

Tha se sjellja e deputetëve sikur të fortë e moslëshimi pe është duke u bërë në kurriz të Kosovës.

 

“Edhe unë jam i fort e kam parime, mirëpo pasi jemi në Kuvend... unë ja kisha dhënë këtij qet fitoren.. fitoren që është Ka e lyp. Le ta bon Kuvendin, le ta qet Albulenën se kurrgjë nuk janë ma të mirë këta tjerët se ajo edhe me bo qeverinë me pakicë dhe le të merr këtë fitoren ... le të thotë që ka fitu që të ja shkurtojmë Kosovës vuajtjet me këtë lloj të njerëzve që janë ardh në pushtet”, ka thënë Berisha.

 

Kërkesa e Berishës është mirëpritur nga partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje.

 

 

“Nuk është në pyetje sakrifikimi askujt, çështja është se në rast se një propozim i tillë prej një deputeti të cilit duhet vlerësuar, në esencë do duhej me qenë sjellja e shumicës së deputeteve”, ka thënë deputeti i VV-së, Faton Peci.

 

Paraprakisht për herë të parë si bashkëkryesuese e seancës fjalën e mori deputetja e PDK-së, Sala Jashari.

 

Jashari tha se rregullat e Kuvendit nuk i lejojnë asaj ndërmarrjen e veprimeve në ndryshim të situatës, por ajo bëri thirrje për përgjegjësi e kompromis nga partia fituese.

 

“Gjendëm këtu përpara jush sepse edhe sot në tentativën e 43-të, LVV ende sillet sikur të kishte më shumë se 50 për qind të ulëseve në parlamentin e Kosovës dhe pretendon se kompromisi i tyre është përpjekje e vazhdueshme për ta votuar vetëm një të propozuar dhe atë në mënyrë të fshehtë dhe arbitrare por ky nuk është kompromis”, ka thënë Jashari.

 

Ofertat e partive të tjera që deri tash kanë qenë opozitë, sipas Besian Mustafës së LDK-së, krijojnë mundësi për arritjen e kompromisit.

 

“...ka hapësirën ka potencial për të krijuar votat. Fatkeqësisht VV-ja me të vetmin qëllim për të bllokuar këtë institucion refuzon të marrë parasysh këto ide këto oferta për një emër tjetër”, ka deklaruar Mustafa.

 

Vazhdimin e fjalimeve pa mikrofon, deputetët opozitarë janë duke e bërë në shenjë proteste për ndërprerjen e seancës konstituive, me të dështuar votimi i komisionit për zgjedhjen e fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

 

Edhe të hënën, deputetët në vend të propozimit të emrave për anëtarë të këtij komisioni, bënë thirrje për reflektim nga Vetëvendosje, por fjalitë po u lihen në gjysmë me ndërhyrjen e kryesuesit Avni Dehari.

 

DEK: Ariana Musliu-Shoshi, deputete, PDK

“Ju ftoj i nderuar kryesues që ta ushtroni detyrën tuaj me paanshmëri, integritet dhe respektim të plotë të kushtetutshmërisë së vendit tonë. Kosova ka nevojë dhe meriton institucione dhe jo...”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

 

“Ju lus edhe njëherë të gjithave që të kontribuoni për të kaluar nga kjo pikë e rendit të ditës”, ka deklaruar Avni Dehari, kryesues i seancës.

 

“Ne e kemi propozu kandidatin s`po e ndryshojmë por e kemi edhe një propozim meqenëse aq mirë z. Dehari po i udhëheq seancat, s`keni asnjë më besnik...”, ka thënë Time Kadrijaj, deputet, AAK.

 

Nga 99 deputetë pjesëmarrës, në votimin për komisionin pro votuan 55 sish, derisa kundër e abstenime nuk kishte.

 

Vazhdimi i seancës së radhës është caktuar për të mërkurën, me fillim nga ora 11:00.