Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se pavarësia e Shqipërisë më 1912 nuk u interpretua në Serbi si realizim i së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje, por kryesisht si një veprim i Austro-Hungarisë kundër interesave serbe.
Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Beshlin u shpreh se në diskursin politik dhe historiografik serb ishte normalizuar një qasje negative ndaj shqiptarëve, e ndikuar nga teoritë raciste që qarkullonin në Evropën e shekullit XIX.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas tij, edhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë u interpretua pothuajse ekskluzivisht përmes prizmit të interesave gjeopolitike dhe jo si rezultat i aspiratave kombëtare të shqiptarëve.
“Do të ishte logjike që Serbia, si një shtet i krijuar nga emancipimi kombëtar, të mbështeste një komb fqinj për të pasur shtetin e vet. Por ndodhi e kundërta”, deklaroi Beshlin.
Ai theksoi se në Serbi u përhap teza se krijimi dhe njohja e Shqipërisë më 1912 përbënin një akt armiqësor të Austro-Hungarisë, me synimin për ta penguar Serbinë të siguronte dalje në Detin Adriatik.
Sipas Beshlinit, kjo qasje e la në hije vetë shqiptarët dhe procesin e formimit të shtetit shqiptar, duke e paraqitur pavarësinë e Shqipërisë kryesisht si pjesë të rivalitetit mes fuqive të mëdha dhe interesave serbe.