Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Milivoj Beshlin në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 57-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është historiani serb Milivoj Beshlin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Beshlin: Në Serbi, pavarësia e Shqipërisë u pa si akt armiqësor i Austro-Hungarisë

1 o. më parë / 21 qer 2026 20:45
Milivoj Beshlin

Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se pavarësia e Shqipërisë më 1912 nuk u interpretua në Serbi si realizim i së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje, por kryesisht si një veprim i Austro-Hungarisë kundër interesave serbe.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Beshlin u shpreh se në diskursin politik dhe historiografik serb ishte normalizuar një qasje negative ndaj shqiptarëve, e ndikuar nga teoritë raciste që qarkullonin në Evropën e shekullit XIX.

Sipas tij, edhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë u interpretua pothuajse ekskluzivisht përmes prizmit të interesave gjeopolitike dhe jo si rezultat i aspiratave kombëtare të shqiptarëve.

“Do të ishte logjike që Serbia, si një shtet i krijuar nga emancipimi kombëtar, të mbështeste një komb fqinj për të pasur shtetin e vet. Por ndodhi e kundërta”, deklaroi Beshlin.

Ai theksoi se në Serbi u përhap teza se krijimi dhe njohja e Shqipërisë më 1912 përbënin një akt armiqësor të Austro-Hungarisë, me synimin për ta penguar Serbinë të siguronte dalje në Detin Adriatik.

Sipas Beshlinit, kjo qasje e la në hije vetë shqiptarët dhe procesin e formimit të shtetit shqiptar, duke e paraqitur pavarësinë e Shqipërisë kryesisht si pjesë të rivalitetit mes fuqive të mëdha dhe interesave serbe.

Beshlin: Austro-Hungaria e shtyu Serbinë drejt Kosovës

2 o. më parë / 21 qer 2026 20:17
Milivoj Beshlin

Historiani serb Milivoj Beshlin ka deklaruar se orientimi i Serbisë drejt Kosovës në fund të shekullit XIX ishte pasojë e ndryshimeve gjeopolitike të kohës dhe e ndikimit të Austro-Hungarisë pas Kongresit të Berlinit.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se deri në zgjidhjen e Krizës së Madhe Lindore, zgjerimi i shtetit serb ishte i orientuar kryesisht drejt Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas tij, situata ndryshoi pas Paqes së Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, kur Serbia kërkoi mbështetjen e Austro-Hungarisë për të mbrojtur interesat e saj përballë projektit të Bullgarisë së Madhe të mbështetur nga Rusia.

“Austro-Hungaria mbrojti interesat e Serbisë, por kjo kishte një çmim. Meqenëse Vjena kishte pretendime mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, zgjerimi i Serbisë nuk mund të shkonte më drejt perëndimit, përtej Drinës”, ka thënë Beshlin.

Ai theksoi se si pasojë e kësaj, Serbia e orientoi projektin e saj shtetëror dhe kombëtar drejt jugut, përkatësisht Kosovës dhe Maqedonisë.

Sipas Beshlinit, pikërisht në këtë periudhë filloi të ndërtohej më fuqishëm narrativa kombëtare serbe rreth Kosovës, ndërsa fokusi i mëhershëm te Bosnja dhe Hercegovina u zëvendësua me referenca ndaj historisë mesjetare serbe, Betejës së Kosovës dhe trashëgimisë së shtetit të mesjetës.

“Kur Serbia u pengua të zgjerohej drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, ajo e ktheu vëmendjen në jug. Atëherë filloi të ndërtohej miti i Kosovës dhe narrativa e lidhur me besëlidhjen e Kosovës, hakmarrjen e Kosovës dhe historinë mesjetare”, u shpreh ai.

Beshlin: Serbia nuk i feston pavarësitë e 1878-s dhe 2006-s, i konsideron disfata

2 o. më parë / 21 qer 2026 20:07
Milivoj Beshlin

Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se Serbia nuk i konsideron si burim krenarie kombëtare dy momentet më të rëndësishme të shtetësisë së saj – fitimin e pavarësisë në Kongresin e Berlinit më 1878 dhe pavarësinë pas shpërbërjes së bashkësisë shtetërore me Malin e Zi më 2006.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se pavarësia e vitit 1878 u interpretua për një kohë të gjatë në Serbi si një lloj disfate historike, sepse nuk u realizua objektivi i “bashkimit kombëtar”, i cili në shekullin XIX ishte i lidhur kryesisht me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Sipas tij, megjithëse Serbia fitoi njohjen ndërkombëtare si shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit, fakti që Bosnja dhe Hercegovina kaloi nën administrimin e Austro-Hungarisë u pa si dështim i projektit kombëtar serb.

“Pavarësia si shtet u arrit, por bashkimi kombëtar nuk u realizua sipas planeve të ideologëve dhe politikanëve të kohës. Për këtë arsye, Kongresi i Berlinit u interpretua si një disfatë dhe pothuajse si një tragjedi kombëtare”, ka thënë Beshlin.

Ai shtoi se një perceptim i ngjashëm ekziston edhe për pavarësinë e vitit 2006, kur Serbia mbeti shtet i pavarur pas referendumit në Mal të Zi, në të cilin shumica e qytetarëve votuan për shkëputje nga bashkësia shtetërore.

Sipas Beshlinit, edhe kjo ngjarje u përjetua në Serbi si humbje dhe frustrim, pasi ndarja me Malin e Zi u pa si goditje ndaj projekteve historike të shtetit serb.

“Është paradoksale që dy ngjarje që për shumicën e shteteve do të ishin themel i krenarisë kombëtare, në Serbi interpretohen si disfata. Ato nuk janë bërë pjesë e festimeve kombëtare, por kanë mbetur burim frustrimi”, u shpreh ai.

Beshlin vlerësoi se ky raport ndaj pavarësisë dhe çështjes së kufijve ka ndikuar që Serbia të ketë vështirësi në konsolidimin e plotë të identitetit të saj si shtet modern.