Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blerim Shala në PIKË me Veton Surroin (IX)

Në episodin e 49-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e aktivisti Blerim Shala (Pjesa e nëntë). 

 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shala: Thaçi u ofroi dorëheqjen ndërkombëtarëve pas publikimit të raportit të Dick Martyt

1 o. më parë / 12 pri 2026 20:35
Blerim Shala

Gazetari dhe aktivisti Blerim Shala ka zbuluar se asokohe si kryeministër, Hashim Thaçi, kishte ofruar dorëheqjen para përfaqësuesve ndërkombëtarë pas publikimit të raportit të Dick Marty në vitin 2011. 
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka thënë se Thaçi kishte thirrur ambasadorët e vendeve të Quintit dhe i kishte pyetur drejtpërdrejt nëse duhej të largohej nga posti apo të vazhdonte detyrën.

Sipas tij, përgjigjja kishte qenë e prerë nga diplomati amerikan Christopher Dell, i cili i kishte thënë: “Jo, ti duhet të qëndrosh”.

Shala theksoi se presioni ndaj Kosovës në atë periudhë ishte jashtëzakonisht i madh, pasi raporti i Dick Martyt përmbante akuza të rënda për trafikim organesh nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, të cilat u pasqyruan gjerësisht në mediat ndërkombëtare.

“Po edhe Hashim Thaçi, në bazë të fjalëve që m’i ka thënë, kur i ka thirrë ambasadorët e Grupit të Kontaktit, gjegjësisht Quintit, se atëherë Rusia më s’ka qenë, ka qenë këto pranishme dhe është sot e kësaj dite, por jo me atë lojë që e ka pasë në Grupin e Kontaktit. I ka thirrë, e u ka thënë mbas këtij raporti të Dick Martyt, a duhet me dhënë dorëheqje, a duhet me ndejtë, a çka duhet me ba. Por i pari Chirs Delli i ka thënë, ‘Jo. Ti duhet me ndejt’. Tash ajo ka qenë pak problematike, sepse normalisht presioni ka qenë shumë i madh, sepse raporti i Dick Martyt është tepër i rëndë në substancë që thotë shqiptarët, UÇK-ja, kanë qenë të angazhuar në trafikim me organe njerëzore, sepse kjo ishte më e rënda e mundshme”, rrëfeu Shala.

Shala shtoi se një reagim më proaktiv ndaj raportit, përfshirë transparencën e plotë dhe kërkesën për hetime të menjëhershme ndërkombëtare, mund të kishte zbutur ndikimin negativ që ky raport pati mbi imazhin e Kosovës.

“Ne e kemi humb momentum, se ndoshta dashtë me thanë prej ditës së parë edhe Dick Martyt me ardhë në Kosovë, ‘çka po don prej nesh, qe ku jemi, nuk kemi frikë’, sepse kjo është akuzë me të vërtet e kotë”, shtoi Shala.

E Surroi tregoi se paralelisht me këtë ndodhi edhe procesi negociator ku sipas vlerësimeve të tij, Kosova kishte hyrë e papërgatitur në procesin negociator me Serbinë.

“Ishte një proces krejtësisht i papërgatitur nga ana jonë, nga ana e Kosovës, hyjmë krejtësisht të papërgatitur në proces negociator, pranojmë prapakthim dhe kësaj mund t’ia atribuojmë mospërgatitjen, mosnjohurinë, etj., moskonsultimin”, u shpreh Surroi.

 


 

Shala: Turqia ka siguruar shumë njohje për Kosovën

1 o. më parë / 12 pri 2026 20:20
Blerim Shala

Gazetari dhe aktivisti Blerim Shala ka deklaruar se Turqia ka luajtur rol të rëndësishëm në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala theksoi se kjo ka ardhur si rezultat i politikës së presidentit Recep Tayyip Erdogan, duke ndikuar në vazhdimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare.

Ai shtoi se edhe shtetet rajonale dhe evropiane janë përfshirë në këtë proces, përfshirë Slloveninë dhe Kroacinë, të cilat kontribuuan në Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, njëra përmes një teksti të shkruar dhe tjetra me mbrojtje verbale.

Sipas Shalës, rasti i Kosovës në GJND u shndërrua në një projekt të gjerë evropian dhe perëndimor, me synimin që të konfirmohej ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë, duke qenë se në të kundërtën do të vihej në pikëpyetje e gjithë ndërhyrja ndërkombëtare që nga viti 1999.

“Turqia ka siguru shumë njohje për Kosovën, për shkak të politikës së njohur të presidentit Erdogan prandaj vazhdoi ai proces, ne edhe shtetet rajonale u inkuadruan në GJND, edhe Sllovenia dhe Kroacia, njëra me tekst të shkruar, tjetra me mbrojtje verbale. Do të thotë u bë një projekt evropian dhe Perëndimor që Kosova duhet ta fitojë këtë rast, sepse ndryshe nuk bën. Sepse atëherë kontestohet e gjithë ndërmarrja ndërkombëtare, jo vetëm prej 2005 deri 2008, por prej 1999”, tregoi Shala.

Në këtë kontekst, Surroi shtoi se argumenti i Sllovenisë ishte i lidhur me procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavia dhe me të drejtën kushtetuese të vitit 1974, duke e vendosur Kosovën në një vijë të ngjashme me republikat e tjera të asaj kohe.

Ndërkaq, Shala theksoi se Kosova i kishte përmbushur kriteret e Konventës së Montevideos, duke përfshirë territorin, kufijtë, pushtetin qendror dhe aftësinë për të zhvilluar marrëdhënie ndërkombëtare.

Ai nënvizoi gjithashtu se përmes pakos së Martti Ahtisaarit, Kosova ka marrë zotime për trajtimin e komuniteteve pakicë, veçanërisht komunitetit serb.

Megjithatë, sipas tij, edhe përkundër këtyre zhvillimeve pozitive, ka pasur pasiguri për rrjedhën e proceseve në të ardhmen, përfshirë mundësinë e një dialogu të ri me Serbia, i cili më vonë edhe u bë realitet.

 


 

Surroi: Pas pavarësisë u bënë tri gabime strategjike nga Ahtisaari e ndërkombëtarët

1 o. më parë / 12 pri 2026 20:06
Veton Surroi


Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë bërë disa gabime strategjike nga diplomati Martti Ahtisaari dhe bashkësia ndërkombëtare. 

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me gazetarin dhe aktivistin Blerim Shala, Surroi theksoi se gabimi i parë lidhet me pritjen e Ahtisaarit se Rusia do të pajtohej në fund me zgjidhjen për Kosovën. Sipas tij, një tjetër llogaritje e gabuar e diplomatit finlandez ishte besimi se Bashkimi Evropian do të kishte unitet të plotë rreth çështjes së Kosovës. E gabimi i tretë, siç thotë Surroi, ishte që ndërkombëtarët priten që Serbia do ta pranonte realitetin e ri. 

“Më duket dy gabime substanciale strategjike kanë qenë gabimi i parë i Ahtisaarit, i cili ka menduar se rusët në fund do të pajtohen; gabimi gjysmë i dytë i Ahtisaarit është që ka menduar që Bashkimi Evropian do të jetë unik rreth Kosovës. Dhe gabimi i tretë atëherë po del, që bashkësia ndërkombëtare ka menduar se Serbia do të paloset disi”, u shpreh Surroi.

Nga ana e tij, Shala u pajtua me këtë vlerësim, duke shtuar se në atë kohë kishte një bindje të fortë se procesi kishte përfunduar me sukses, sidomos pas njohjeve të shpejta nga shtetet kryesore perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, sipas tij, mungesa e unitetit brenda BE-së dhe kundërshtimi i Rusisë kanë krijuar pengesa të vazhdueshme, veçanërisht në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Shala theksoi se këto probleme janë reflektuar edhe në dialogun me Serbinë, i cili ka nisur në vitet 2011-2012 dhe vazhdon ende. Ai shtoi se po të kishte pasur një qëndrim unik të Bashkimit Evropian, proceset pas pavarësisë do të kishin ecur shumë më lehtë.