Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blerim Shala në PIKË me Veton Surroin (X)

Në episodin e 50-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e aktivisti Blerim Shala (Pjesa e dhjetë).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shala: E kemi të domosdoshme ta kryejmë dialogun me Serbinë

35 min. më parë / 19 pri 2026 20:53
Blerim Shala

Aktivisti dhe gazetari Blerim Shala ka theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen politike të rajonit. Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ai deklaroi se ky proces duhet të përmbyllet pavarësisht vështirësive të shumta ndër vite.

Shala rikujtoi se përpjekjet për dialog datojnë që nga fillimi i viteve ’90, ndërsa negociatat intensive nisën në fund të viteve ’90, duke përfshirë edhe figura kyçe si Fehmi Agani dhe Bajram Kelmendi, të cilët u vranë gjatë luftës. Ai e cilësoi këtë si një rast të rrallë në botë, ku negociatorët bëhen viktima të konfliktit.

“E kemi të domosdoshme ta kryejmë këtë dialogun historik edhe politik me Serbinë. E kemi të domosdoshme. Ne e kemi fillu dialogun 1991-1992, por unë e ti kem fillu prej 1998-s, faktikisht, prej atëherë kur erdh në Kosovë, delegacioni i Serbisë... kemi qenë gjashtë veta në ekipin negociator, dy prej tyre janë vrarë, Fehmi Agani e Bajram Kelmendi. Ku keni pa në botë që negociatorët vriten. I ka vra Serbia. Dy kanë vdekë: Pajazit Nushi e Mahmut Bakalli. Unë e ti jemi gjallë”, ka thënë ai.

Sipas tij, çështja e Kosovës në thelb është zgjidhur që më 10 qershor 1999, pas ndërhyrjes ndërkombëtare, dhe se nuk ka pasur kthim prapa nga ai moment. Megjithatë, ai vlerësoi se procesi i dialogut ka vazhduar për dekada pa një marrëveshje përfundimtare.

Shala theksoi se Serbia, nëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet ta njohë realitetin e Kosovës dhe të ndërtojë marrëdhënie normale me të. Ai shtoi se mungesa e stabilitetit të brendshëm në Serbi e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

Duke përmendur zhvillimet e fundit, përfshirë sulmin në Banjskë, Shala ka thënë se gabimet e palës serbe kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës, por edhe kanë dëmtuar pozicionin e saj në dialog.

Megjithatë, ai nënvizoi se, pavarësisht mungesës së vullnetit aktual nga Serbia, dialogu mbetet rruga e vetme përpara. Sipas tij, edhe njohja formale nuk garanton automatikisht normalizim të marrëdhënieve, duke përmendur se Serbia ka njohur shtete të tjera të rajonit, por ende nuk ka raporte plotësisht të normalizuara me to.

“Por, fatkeqësia është që Serbia e ka njohur Kroacinë, e ka njohur Bosnjën, e ka njohur Malin e Zi, por s’ka marrëdhënie normale me të”, shtoi Shala.
 

Shala: S’pati plane konkrete për shkëmbimin e territoreve

54 min. më parë / 19 pri 2026 20:35
Blerim Shala

Aktivisti dhe gazetari Blerim Shala ka deklaruar se ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë e lidhur ngushtë me njohjen formale reciproke mes dy shteteve. Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala shpjegoi se kjo ide kishte marrë formë në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, por nuk pati ndonjë plan konkret pasi diskutime nuk mbërrin në atë fazë. 

Sipas Shalës, propozimi ishte i ndërtuar mbi parimin që fillimisht të ndodhte njohja formale, e më pas të diskutohej për korrigjimin e kufijve në mënyrë paqësore, në përputhje me parimet ndërkombëtare. Ai theksoi se kjo qasje ishte e lidhur me angazhimin e diplomatit amerikan Wess Mitchell, me synimin për të larguar ndikimin rus nga Serbia.

“Ideja ka qenë e Wess Mitchellit, absolutisht, sepse ai është nisë prej parimit t’i heqë rusët prej Serbisë. Vuçiqi i ka thënë, unë për me i heqë rusët prej Serbisë, unë duhet me ba qët punë, me ba marrëveshje me Kosovën. Por, ideja ka qenë për njohje formale, reciproke midis dy shteteve, e thamë më herët, kur dy shtete njihen, ti masandej e bën korrigjimin e kufijve, edhe mos me pasë, sepse është parimi i Helsinkit i 1975-s. Pra, që i lejohet në mënyrë paqësore”, ka thënë Shala.

Në këtë proces, rol të rëndësishëm kishte edhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian, përkatësisht i Federica Mogherinit, e cila sipas Shalës kishte folur hapur për njohjen formale gjatë takimeve me përfaqësuesit e palëve, përfshirë presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Shala pretendon se në këto takime ishte bërë e qartë se njohja reciproke ishte tema kryesore e dialogut.

Ai shtoi se ideja kishte mbështetje edhe nga zyrtarë të tjerë amerikanë, përfshirë John Bolton, ndonëse ky i fundit, sipas tij, kishte ardhur në një fazë të vonshme të procesit.

Duke folur për përmbajtjen e diskutimeve, Shala mohoi që të ketë pasur plane konkrete për ndarjen e Kosovës apo hartime të kufijve në tavolinë. Ai theksoi se nuk ishte diskutuar për kufirin në lumin Ibër dhe se, sipas tij, asnjë politikan shqiptar nuk do të pranonte një zgjidhje të tillë.

Megjithatë, ai pranoi se ideja e përgjithshme kishte qenë që një pjesë e veriut të lidhej me Serbinë, por pa përfshirë Mitrovicën e Veriut, duke e cilësuar këtë si një skenar hipotetik që nuk kishte arritur asnjëherë në fazë konkrete negociatash për shkak të kundërshtimin nga të dyja palët, por edhe të Gjermanisë e Britanisë së Madhe. 
 

Surroi për Gjykatën Speciale: Rast unikal, u bë presion nga pushteti për formimin e saj

1 o. më parë / 19 pri 2026 20:04
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka rikujtuar rrethanat në të cilat u themelua Gjykata Speciale, duke e cilësuar atë si një rast unik të presionit të drejtpërdrejtë nga pushteti vendor. Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me aktivistin dhe gazetarin Blerim Shala, Surroi theksoi se në atë kohë kishte një ndërthurje të presionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Sipas Surroit, pushteti në Kosovë, në krye me Hashim Thaçin, ushtronte presion për votimin e Gjykatës Speciale, ndonëse ajo dilte jashtë “një koncepti të normalitetit”. 

“Është rast unikal që ushtrohet presion nga pushteti, nga vetë pushteti në krye me Hashim Thaçin, për të votuar për një Gjykatë Speciale, e cila qartazi në atë kohë dilte jashtë një koncepti të normalitetit”, ka thënë ai. 

Nga ana tjetër, Shala theksoi se presioni amerikan ishte “shumë i madh”, duke përmendur përfshirjen e figurave të larta ndërkombëtare në këtë proces.

Në diskutim u përmend edhe roli i raportit të Dick Martyt, i cili ngriti akuza të rënda ndaj pjesëtarëve të UÇK-së për trafikim organesh. Shala vlerësoi se hetimi i udhëhequr nga Clint Williamson nuk prodhoi prova të mjaftueshme për ngritje aktakuzash për këto pretendime, duke e cilësuar raportin si të paqartë në përfundime.

Sipas Shalës, Kosova fillimisht kishte dështuar ta miratonte Gjykatën Speciale, por presioni ndërkombëtar u rrit ndjeshëm. Një nga argumentet kyçe që shtyu drejt votimit ishte se, nëse Kosova nuk do ta themelonte vetë këtë mekanizëm, atëherë çështja do të kalonte në Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke rrezikuar një proces më të pafavorshëm për vendin.

Shala theksoi se klima e asaj kohe karakterizohej nga një presion “brutal” për ta mbyllur këtë kapitull dhe për të larguar hijen e rëndë që rëndonte mbi shtetin e Kosovës. Në fund, Gjykata Speciale u votua.

Siç tregoi Shala, Thaçi u kishte thënë kolegëve të tij se nëse do të kishte arrestime, ai dhe Kadri Veseli do të ishin ndër të parët që do të përballeshin me drejtësinë, si pjesë e përpjekjes për ta shtyrë përpara vendimin për themelimin e saj.

“Në fund, Hashim Thaçi iu pat thënë këtyre kolegëve, nëse dikush burgoset, atëherë burgosna unë edhe Kadri Veseli... burgosemi të parët. Kështu që duhet ta votojmë, duhet ta heqim qafe. Në atë periudhë logjika e vetme ka qenë raporti i Dick Martyt”, tregoi Shala.