Aktivisti dhe gazetari Blerim Shala ka theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen politike të rajonit. Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ai deklaroi se ky proces duhet të përmbyllet pavarësisht vështirësive të shumta ndër vite.
Shala rikujtoi se përpjekjet për dialog datojnë që nga fillimi i viteve ’90, ndërsa negociatat intensive nisën në fund të viteve ’90, duke përfshirë edhe figura kyçe si Fehmi Agani dhe Bajram Kelmendi, të cilët u vranë gjatë luftës. Ai e cilësoi këtë si një rast të rrallë në botë, ku negociatorët bëhen viktima të konfliktit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“E kemi të domosdoshme ta kryejmë këtë dialogun historik edhe politik me Serbinë. E kemi të domosdoshme. Ne e kemi fillu dialogun 1991-1992, por unë e ti kem fillu prej 1998-s, faktikisht, prej atëherë kur erdh në Kosovë, delegacioni i Serbisë... kemi qenë gjashtë veta në ekipin negociator, dy prej tyre janë vrarë, Fehmi Agani e Bajram Kelmendi. Ku keni pa në botë që negociatorët vriten. I ka vra Serbia. Dy kanë vdekë: Pajazit Nushi e Mahmut Bakalli. Unë e ti jemi gjallë”, ka thënë ai.
Sipas tij, çështja e Kosovës në thelb është zgjidhur që më 10 qershor 1999, pas ndërhyrjes ndërkombëtare, dhe se nuk ka pasur kthim prapa nga ai moment. Megjithatë, ai vlerësoi se procesi i dialogut ka vazhduar për dekada pa një marrëveshje përfundimtare.
Shala theksoi se Serbia, nëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet ta njohë realitetin e Kosovës dhe të ndërtojë marrëdhënie normale me të. Ai shtoi se mungesa e stabilitetit të brendshëm në Serbi e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.
Duke përmendur zhvillimet e fundit, përfshirë sulmin në Banjskë, Shala ka thënë se gabimet e palës serbe kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës, por edhe kanë dëmtuar pozicionin e saj në dialog.
Megjithatë, ai nënvizoi se, pavarësisht mungesës së vullnetit aktual nga Serbia, dialogu mbetet rruga e vetme përpara. Sipas tij, edhe njohja formale nuk garanton automatikisht normalizim të marrëdhënieve, duke përmendur se Serbia ka njohur shtete të tjera të rajonit, por ende nuk ka raporte plotësisht të normalizuara me to.
“Por, fatkeqësia është që Serbia e ka njohur Kroacinë, e ka njohur Bosnjën, e ka njohur Malin e Zi, por s’ka marrëdhënie normale me të”, shtoi Shala.