Golden Eagle Ylli ka synuar suksesin e madh, titullin e kampionit, në 50-vjetorin e themelimit si klub i basketbollit.
Shumë parakushte për një gjë të tillë ishin. Para me bollëk, shumë reprezentues në përbërje, lojtarë të huaj të shtrenjtë e me përvojë dhe trajnerë të huaj po ashtu të shtrenjtë e me karrierë. Për më tepër, me Scott Bamforthin, klubi suharekas e kishte në përbërje ndoshta lojtarin më të mirë në Superligë.
Kjo megjithatë nuk mjaftoi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoYlli u ndal që në çerekfinale të plejofit. Nuk iu afrua synimit të madh. Reprezentuesit e shumtë të Kosovës në përbërje, lojtarët e shumtë të huaj e po ashtu trajnerët e shumtë, nuk mjaftuan.
Në çerekfinale, Ylli u eliminua nga Peja. Skuadra pejane fitoi të shtunën mbrëma në Suharekë për të kaluar në gjysmëfinale të plejofit, ku do të përballet me Trepçën.
Pikërisht ndryshimet e shumta vlerësohet se e kanë goditur më së rëndi Yllin. Greku Fotis Takianos ishte trajneri i parë i suharekasve për këtë edicion. Ai dha dorëheqje dhe u zëvendësua nga kroati Jeronimo Sharin, që njeh shumë mirë ligën kosovare. Por nuk kreu punë. Sharin u zëvendësua përkohësisht nga Endrit Elshani. Pas Elshanit erdhi spanjolli i shtrenjtë, Paco Olmos. Por as me spanjollin skuadra nuk u bë rehat. Edhe ai u shkarkua dhe Elshani sërish mori përgjegjësinë për ta udhëhequr skuadrën në fazën e fundit të kampionatit.
Dhe fundi erdhi shumë më herët se që është shpresuar – që në çerekfinale.
“Ju kërkojmë falje tifozëve pasi kjo nuk është ajo që kanë pritur dhe ajo që kemi dashur ne. Besoj se do të kthehemi edhe më fort në kampionatin tjetër, si pretendent për titull”, ka thënë Elshani pas eliminimit.
Lojtarët e huaj po ashtu u ndryshuan shpesh e shumë tek Ylli. Kishte edhe shumë lojtarë cilësorë e goxha të shtrenjtë, që nuk ndezën.
Trofetë kryesorë të basketbollit kosovar i munguan Yllit, por jo edhe paratë. Vjet Ylli ishte klubi me të hyrat më të mëdha në bazë të ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Plot 1 milion e 242 mijë euro kishte Ylli të hyra gjatë vitit 2025 në bazë të marrëveshjeve për sponsorizime. Rrjedhimisht suharekasit e kishin luksin, ndonëse me para të buxhetit të shtetit, për të ndarë paga të majme për të huaj e vendorë, e po ashtu për të bërë ndryshime të shumta në kërkim të “formulës së suksesit”. Por formulën nuk e gjetën dot.
Në garën për Kupë, Ylli po ashtu u ndal në çerekfinale. U eliminua nga Trepça, ndonëse e fitoi ndeshjen e parë në Mitrovicë.
“Ngushëllim” për klubin suharekas mund të jetë triumfi në Ligën Unike. Në finale të edicionit goxha të zbehtë të Ligës Unike, Ylli e mposhti pikërisht Pejën. Fakti që finalja u zhvillua në Shqipëri dhe kur Kosova në futboll ishte në momentin më të rëndësishëm në histori, bëri që ai triumf të kalojë pa ndonjë bujë. Në përgjithësi Ylli nuk po shquhet për bazë të madhe tifozësh në vitet e fundit. Dhe edicioni jubilar dhe me synime të mëdha nuk pati ndonjë ndryshim sa i takon përkrahjes nga tribunat.