Arbëri

Brenda rrjetit të drogës

Një operacion i madh antidrogë në Kosovë zbuloi rrjete të organizuara kriminale, duke nxjerrë në pah përmasat e trafikimit të narkotikëve dhe sfidat e sigurisë në vend. Ekspertët kërkojnë më shumë fokus në parandalim dhe bashkëpunim institucional për të luftuar këtë fenomen

Një platformë e koduar komunikimi, e njohur për nivelin e lartë të sigurisë dhe fshehtësisë që ofron për rrjete kriminale, u shndërrua nga një mjet garancie në një armë hetimi në duart e autoriteteve.

Vënia në përgjim dhe hetim e aplikacionit “Sky ECC” nga Agjencia Evropiane e Policisë çoi në zbulimin e përfshirjes në krim të organizuar me trafikim të substancave narkotike të dhjetëra personave edhe në Kosovë.

Ky aktivitet kriminal që në Kosovë kishte nisur që nga viti 2019, mbeti i padukshëm për institucionet vendore të rendit dhe sigurisë deri në vitin 2023, kur hetimet ndërkombëtare në Belgjikë, Holandë dhe Francë sollën sinjalet e para mbi të.

Informatat e marra u analizuan nga Prokuroria Speciale e cila pas një viti edhe nisi hetimet zyrtare.

Këto hetime rezultuan me arrestimin e 22 personave, sekuestrimin e 29 veturave dhe ngrirjen e rreth gjysmë milioni euro.

Prokurori që udhëhoqi operacionin antidrogë, Fatos Ajvazi, ka treguar për zanafillën e këtij rasti.

“Bazuar në komunikimet që ka pasur ky grup kriminal është faktuar që ky grup ka pasur laboratorë të ndryshëm në lokacione të ndryshme nëpër Kosovë, kryesisht nëpër pjesë të bodrumeve ku e ka bërë përzierjen e këtij narkotiku në substanca të ndryshme qoftë për ta shtuar sasinë apo qoftë për ta plasuar apo ripaketuar dhe më pas përmes rrugës së transporteve, qoftë transport i mallrave, veturave, përmes bunkerëve që janë të instaluara në këto vetura, narkotiku ka arritur që të transportohet nëpër shtete të ndryshme. Arsyeja pse shtetet që i përmenda më lart janë interesuar për këtë rast, për shkak se ka qenë trafikim ndërkombëtar apo aktivitet i krimit të organizuar në nivel ndërkombëtar”, ka thënë Ajvazi.

Prokurori Ajvazi e ka cilësuar aksionin policor të koduar “Qielli i thyer” si një nga operacionet më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Kosovë.

Në të morën pjesë rreth 600 zyrtarë policorë, ndërsa në të njëjtën kohë u bastisën 47 lokacione në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Gjilan.

Duke theksuar se është arritur shkatërrimi i një grupi të organizuar kriminal të përfshirë në trafikim të narkotikëve, prokurori special ka deklaruar se kokaina vinte nga vendet e Amerikës së Jugut, e heroina nga Irani, që nënkupton se grupi kriminal kishte rrjet trafikimi të shtrirë në tri kontinente.

Në Kosovë narkotikët përpunoheshin e paketoheshin për t’i nisur në tregun evropian.

“Aktiviteti i këtij grupi kriminal ka qenë kryesisht në trafikimin e narkotikëve, por në këtë periudhë kohore nga viti 2019 e tutje, ky grup kriminal ka arritur të trafikojë sasi të konsiderueshme të narkotikëve, duke përfshirë kokainën, heroinë dhe mariuanë, pjesa dërrmuese ka qenë kokainë dhe heroinë… Aktiviteti i këtij grupi kriminal është realizuar në atë mënyrë që narkotiku është trafikuar nga shtete të Amerikës Latine, nga Irani përmes Turqisë dhe më pas është sjellë në Kosovë, pastaj në Kosovë është bërë përpunimi apo përzierja e këtij narkotiku dhe pastaj është trafikuar për në shtetet e BE, kurse një pjesë është trafikuar në shtetin e Kosovës”, ka thënë Ajvazi.

Nga ky aksion janë konfiskuar 3 kilogramë marihuanë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Ndaj 22 të arrestuarve, Gjykata Themelore ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

86 për qind e qytetarëve e konsiderojnë trafikimin e drogës si kërcënim serioz për sigurinë kombëtare

Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, janë trajtuar 305 raste të trafikimit dhe tregtimit të substancave narkotike, ndërsa janë shkatërruar 3 laboratorë që shërbenin për kultivimin e bimës kanabis-sativa.

“Drejtimet kryesore të trafikimit të drogës: Maqedoni e Veriut – Kosovë (heroinë, kokainë dhe raste të rralla të kanabisit), Shqipëri– Kosovë (marihuanë dhe kokainë) dhe Serbi – Kosovë (droga sintetike, ekstazi etj.). DHTN-ja është përballuar me grupe të ndryshme të cilët kanë pasur për qëllim trafikimin e drogës përmes Kosovës për në shtetet perëndimore dhe anasjelltas. Bazuar në hetimet e përgjithshme të zhvilluara, DHTN me sukses ka arritur që të bëjë konfiskime në sasi të drogave dhe arrestim të personave të dyshuar të përfshirë në rastet e trafikimit”, kanë thënë në Policinë e Kosovës.

Gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës i ka vlerësuar si raste me rëndësi konfiskimin e rreth 5 kilogramëve kokainë dhe disa raste të tjera me konfiskim të mbi 10 kilogramëve marihuanë.

“Gjatë vitit 2025 nuk është gjetur ende ndonjë plantacion i hapur i kultivimit të bimës kanabis ndërsa gjatë vitit 2024 kanë qenë tri plantacione të mëdha të kultivimit të bimës kanabis në hapësira të jashtme. Gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 39 operacione dhe 186 bastisje në tërë territorin e vendit. Gjatë vitit 2025 në total janë arrestuar 394 persona”, kanë bërë të ditur në Polici.

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se ndonëse ka pasur përpjekje për t’i luftuar grupet e narkotikëve, fokusi vazhdon të jetë kryesisht te lëndë si kanabisi dhe heroina.

Ai thekson se mungesa e konfiskimeve të mëdha të kokainës duhet të shqyrtohet nga institucionet, pasi kjo mund të tregojë për sfida të brendshme në luftimin e rrjeteve të drogave më të shtrenjta.

“Shpeshherë vërehet se fokusi kryesisht është në disa, kapje të disa lëndëve narkotike si kanabisi apo heroina, jo shumë shpesh vërejmë se ka kapje, raste ku janë konfiskuar sasi të mëdha të drogave të shtrenjta siç është kokaina e këtu duhet të analizohen këto probleme nga ana e institucioneve se ku qëndron problemi që më shumë ka sasi të mëdha të kapura të kanabisit dhe të lëndëve të tjera narkotike por jo shumë edhe kapje të kontrabanduesve, të kokainës e që potencialisht një drogë e shtrenjtë mbase ka mundësi më të mëdha për të krijuar marrëdhënie brenda për brenda institucioneve andaj institucionet duhet të shikojnë edhe këtë pjesë të problemit”, ka thënë Vrajolli.

Sipas një raporti të para dy vjetëve nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Barometri i Sigurisë i Ballkanit Perëndimor, 86 për qind e qytetarëve e kanë konsideruar trafikimin e drogës si kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, pothuajse po aq sa rritjen e çmimeve të mallrave, e cila i ka shqetësuar 87 për qind të tyre.

Drejtori i QKSS-së, Mentor Vrajolli, vlerëson se Kosova nuk është rruga kryesore në tregtinë ndërkombëtare të narkotikëve në krahasim me shtetet fqinje.

“Shumë analiza tregojnë se vendet fqinje kanë shumë më shumë prezencë në udhëheqjen e këtyre tregjeve të drogës, sidomos Serbia është një ndër liderët kryesore në Evropë, por edhe vendet tjera u përmend më përpara edhe Shqipëria. Kosova mbase participon në këtë lloj tregtie mirëpo nuk është ndër vendet me nivelin më të lartë në fenomen. Mendoj se këto fenomene është shumë vështirë me i zhdukë sepse trafikimi me lëndë narkotike është i ndërlidhtë kryesisht me të hyra që ato krijojnë dhe përderisa ka treg, kjo lloj tregtie ka me vazhdu, por përderisa ka efikasitet të institucioneve në kapjen e këtyre kontrabanduesve atëherë dekujarimi që individët të merren me këtë tregti do të jetë më i madh dhe kjo domosdo do të reflektojë edhe me zvogëlimin e pranisë së këtij fenomenin”, ka thënë Vrajolli.

Blakaj thotë se në Kosovë janë mbi 40 mijë përdorues të drogës

Drejtori i Qendrës “Labyrinth”, Safet Blakaj, vlerëson se shtimi i aksioneve policore që përfundojnë me konfiskim të drogës është tregues i rritjes së përdorimit dhe prodhimit të substancave narkotike në Kosovë.

Blakaj thotë se në Qendrën që udhëheq figurojnë rreth 3 mijë përdorues të regjistruar që kërkojnë shërbime shëndetësore, ndërsa numri i personave që frekuentojnë institutin për këshillim apo terapi grupore arrin afërsisht në 8 mijë.

Ndërkaq, në nivel vendi, ai thotë se janë mbi 40 mijë persona përdorues të drogës.

“Ne i ndajmë në dy kategori, në përdorues të drogave dhe përdorues problematikë të drogave. Përdorues problematikë të drogave janë të gjithë ata te të cilët shkaktohet varshmëria, të cilët bëhen jofunksional dhe kanë, janë në konflikt me ligjin. Të tjerët janë përdorues të drogave, janë ata që përdorin kohë pas kohe por nuk i kanë këto elemente. Në çfarëdo rasti ne mendojmë se në Kosovë ka problem të madh me përdorimin e drogës kokainë. Natyrisht marihuana është ajo që është më e shpërndamë në tërë territorin e Kosovës si dhe në të gjitha vendet e tjera por problematika më e madhe po bëhet kohëve të fundit, viteve të fundit përdorimi i kokainës”, ka thënë Blakaj.

Sipas Blakajt, në vend ka rënë edhe mosha mesatare e fillimit të përdorimit të lëndëve narkotike, e cila momentalisht konsiderohet të jetë 16 vjeç.

“Fillesat e përdorimi të drogave janë me kanabis ose marihuanë. Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave po sillet nga 16 vjeç dhe ne mendojmë që nuk ka ku me ra më poshtë. Ato raste që janë tepër të reja, të moshës 8-9-10 vjeç atëherë ato janë raste më të rralla, më ekstreme dhe nuk janë që na shqetësojnë. Mosha që më së shumti rrezikohet për fillimin e përdorimit të drogës dhe jo vetëm për fillimin por që vazhdojnë me përdorimin e drogës është 15-16-17, këto janë moshat më kritike. Kur lajmërohen në trajtim te disa bahet shpeshherë vonë. Sido që të jetë edhe kur është vonë natyrisht se mundet me u ba trajtim”, ka theksuar Blakaj.

Droga më e përdorur konsiderohet të jetë marihuana, e cila depërton në Kosovë kryesisht nga Shqipëria.

Në shtatorin e vitit të kaluar, mbi 1 ton marihuanë është sekuestruar në Pejë, dhe aksioni përfundoi me arrestimin e një shtetasi nga Shqipëria.

Autoritetet bënë të ditur se sipërfaqja mbi 1 hektar, e kultivuar me lëndë narkotike, kishte për destinim tregun ndërkombëtar.

Bazuar në të dhënat e Policisë, gjatë vitit të shkuar janë sekuestruar mbi 1 ton e 279 kilogramë marihuanë, 27 kilogramë e 800 gramë heroinë.

Blakaj thotë se te 73 për qind e të regjistruarve droga e parë e provuar ka qenë kanabisi ose marihuana.

“Sipas të dhënave tona, janë 73 për qind e të gjithë të regjistruarve në vendin tonë, kanë, droga e parë ka qenë kanabisi ose marihunë. Duke u nisur prej kësaj del që kanabisi është shkaktari ose ai që i hap dyert për përdorimin e drogave të tjera”, ka thënë drejtori i qendrës “Labyrinth”.

Ai ngrit shqetësimin për varësinë nga përdorimi i kanabisit te të rinjtë, që shpesh çon në eksperimentim me substanca edhe më të rrezikshme.

Ndër faktorët që ndikojnë në nisjen e konsumimit të drogave tek të rinjtë, përveç kureshtjes, argëtimit dhe dëshirës për t’iu bashkuar grupit, Blakaj vlerëson edhe qasjen e lehtë në to. Ai thekson nevojën për ndërhyrje në parandalim.

“Nëse pretendojmë se vetëm policia dhe organet ndjekëse munden me e ndalë drogën, atëherë është një gabim i madh, sepse nuk kanë mundur kurrë kurrkund dhe nuk munden as këtu…. Shumë rrallë e përmendin parandalimin, sepse doket një term goxha abstrakt. Por nuk është më abstrakt parandalimi nëse punohet një program i mirë parandalues gjithëkombëtar dhe që zbatohet ashtu siç duhet dhe ne e dimë sigurt se do të ketë efekt. Pra ne kërkojmë edhe prej institucioneve, edhe vetë, edhe prej të gjithë të tjerëve që janë të kyçur në këtë problematikë të fillohet një program sa më shpejt i cili do të jetë i vazhdueshëm, i cili do të përsëritet vit pas viti edhe lypet sot me nis që me pas efektin pas 5 vjetësh”, ka thënë ai.

Blakaj thekson se në tre-katër vjetët e fundit është rritur tendenca për kultivim dhe prodhim të substancave narkotike brenda Kosovës.

“Tendenca për të bartur në Kosovë kultivimin na pengon shumë për arsye se në atë rast ne jemi vend prodhues. Deri më tani nuk mund të them që është vend prodhues, për arsye se ka pasur aktivitete me sukses të Policisë edhe kur flitet për droga tjera, po ka pasur, po këtu janë zënë disa laboratorë të llojeve të ndryshme të drogave të cilat më tepër janë bërë si një lloj përzierje ose ekstraktet që janë nxjerrë prej drogave”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij shumica e përdoruesve të heroinës nuk arrijnë moshën 60 vjeç për shkak të pasojave dhe mbidozës nga droga.

Përveç trafikimit me substanca narkotike, si fenomen i pranishëm konsiderohet edhe trafikimi me armë zjarri.

Trendi kërcënues - droga për “party”

Një operacion i Policisë së Shqipërisë, i zhvilluar javën e kaluar, zbardhi rastin e trafikimit të armëve nga Kosova në Shqipëri.

Policia shqiptare njoftoi se ka arrestuar 10 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohen për trafikim armësh nga Kosova në Shqipëri me qëllim shitjen. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe substanca narkotike.

Megjithëse ka kaluar një javë nga zhvillimi i këtij operacioni, autoritetet në Kosovë nuk kanë dhënë asnjë informacion lidhur me këtë dukuri dhe bashkëpunimin me shtetin shqiptar për luftimin dhe parandalimin e saj.

Policia e Kosovës nuk komentoi as për deklarimet mbi kontrabandën nga shteti amë, duke mos ofruar përgjigje pavarësisht insistimit të KOHËS.

E në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, kërkojnë nga institucionet vendore që të jenë vigjilentë ndaj kësaj dukurie, e cila gjithashtu shoqërohet me rreziqet e veta.

“Mendoj që edhe tregtia me armë, ashtu siç është tregtia me narkotikë është prezent, ka qenë prezent dhe mbase mund të vazhdojë të jetë prezent, kjo është mendoj një ndër sferat më problematike sa i përket sigurisë kombëtare për shkak se armët nuk vihen në qarkullim për gjëra pozitive, por ato kryesisht mund të jenë edhe armë kryesore të cilat përdoren për krime të ndryshme, kështu që institucionet duhet ta rritin fokusin edhe në raport me tregtinë me armë”, ka thënë drejtori i QKSS-së, Mentor Vrajolli.

Operacione për luftimin e rrjeteve kriminale janë zhvilluar edhe gjatë viteve të kaluara.

Bazuar në të dhënat e Policisë, gjatë 2023-tës u zbuluan 4 laboratorë për kultivimin e kanabisit, e gjatë 2024-s u zbuluan 5 laboratorë për prodhim të heroinës, kokainës e kanabisit.

Shqetësim të veçantë ekspertët e kanë ngritur edhe numrin e të rinjve që e përdorin kombinimin e atyre që janë bërë të njohura si droga për “party” gjatë jetës së natës.

Ata alarmojnë se kjo përzierje, e shoqëruar edhe me alkool e me barna të tjera, mund të çojë deri në vdekje, teksa e kualifikojnë mit perceptimin e krijuar te të rinjtë se ato nuk shkaktojnë varësi e pasoja fizike e psikike.