Arbëri

Bulliqi dhe ish-drejtori i tij janë në garë për kryetar të Qendrës së VV-së në Podujevë

Ish-vartësi i Shpejtim Bulliqit do ta sfidojë atë në garën për kryetar të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.

Ish-drejtori i Inspektoratit, Bedri Maçastena, dhe Bulliqi janë dy kandidatët që aktualisht i kanë hyrë kësaj gare për pozitën e të parit të partisë.

Në një konferencë për media, koordinatori i Qendrës së VV-së në Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nuk e ka parë problem sfidimin që po ia bën ish-drejtori i tij në Komunë.

“Asnjëherë vlerat që janë brendapërbrenda Lëvizjes Vetëvendosje gatishmëria e njerëzve për t’u paraqitur për të garuar në procese, qoftë të brendshme, qoftë të jashtme nuk janë për t’u frikësuar, por janë për t’u admiruar dhe për t’i llogaritur si vlera të reja, të shtuara brenda subjektit tonë politik. Prandaj inkurajojmë edhe të tjerët, kushdo qofshin ata, sepse gara është e hapur dhe demokratike dhe çdonjëri që e vlerëson se mund të jap kontributin për avancimin e mëtejmë të punës, të organizimit të Lëvizjes vetëvendosje janë të mirëseardhur”, tha Bulliqi.

Maçastena, i cili ka qenë drejtor i Inspektoratit në mandatin e kaluar, ka shkruar se nëse ai fiton do të mund të sjellin demokracinë e brendshme, duke shpërfaqur tutje edhe jashtë.

“Bashkë me shumë aktivistë do të ndërtojmë ura të pathyeshme të ecurive të mbara të punës dhe do t’i thyejmë muret e barrierave ndarëse. Bashkërisht do të bëjmë punë të mëdha, gjithnjë duke mos harruar prej nga vijmë e duke ditur qartë se ku do të mbërrijmë. Me njëri-tjetrin do t’i japim Lëvizjes në Podujevë dëshminë e një aktivizimi të sinqertë dhe plot dinjitet”, tha Maçastena.

Kryesuesi i KZAQ-së, Abedin Zeka, ka thënë se gjatë periudhës katërmujore të zgjedhjeve të brendshme i kanë formuar 46 pika, prej të cilave 16 janë për herë të parë.

Sipas tij, për herë të parë do të formohen edhe dy organe të reja në Vetëvendosje, siç është drejtuesja e grave aktiviste dhe drejtuesi ose drejtuesja e rinisë së Vetëvendosjes.