Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka deklaruar se në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, mbetet e paqartë nëse institucionet do të arrijnë një zgjidhje apo nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja.
Në këtë situatë, sipas tij, institucionet duhet të sigurohen që të paktën përgatitja për zgjedhje të mos vihet në pikëpyetje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoCakolli ka theksuar se kjo nënkupton, para së gjithash, qartësi për përbërjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që është e lidhur me me ciklin zgjedhor dhe duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve më 9 shkurt, ligji parasheh një procedurë deri në 42 ditë për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, bazuar në përbërjen e re të Kuvendit. Presidentja ka pasur afat prej 30 ditësh – që përfundon më 11 mars – për t’u kërkuar partive parlamentare nominimet për anëtarët e rinj.
Pas kësaj kërkese, partitë kanë një javë kohë për të dorëzuar emrat e tyre, ndërsa emërimi i anëtarëve të rinj bëhet brenda pesë ditëve nga Presidentja.
Megjithatë, Cakolli vë në dukje se grupet parlamentare që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë ekzistojnë vetëm për aq kohë sa Kuvendi është në mandat dhe nuk janë shpallur zgjedhjet e reja. Meqë skenari i zgjedhjeve të parakohshme po duket gjithnjë e më i mundshëm, ai paralajmëron se afati ligjor për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së është tashmë jashtëzakonisht i ngushtë.
“Kjo bëhet edhe më problematike për shkak se ligji aktual nuk parasheh më vazhdim automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë, siç përcaktohej me ligjin e vjetër. Prandaj, në një moment kur zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme, nisja dhe përmbyllja e kësaj procedure brenda afateve ligjore është thelbësore për të shmangur çdo vakum institucional në administrimin e zgjedhjeve”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai shton se institucioni që organizon zgjedhjet duhet të jetë jo vetëm funksional dhe me mandat të plotë, por edhe i pakontestueshëm, në mënyrë që gjatë procesit zgjedhor të mos hapen debate për legjitimitetin e tij.