Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka privilegjuar askënd në vendimin për konstituimin e Kuvendit ku ka thënë se seanca konstituive nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve.
Ai ka shtuar se Gjykata vetëm ka rikonfirmuar standardin e ditur kushtetues që Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët.
“Në esencë, Gjykata Kushtetuese nuk i dha komuniteteve asnjë ‘veto’ shtesë. Thjesht, rikonfirmoi standardin (e ditur) kushtetues, që Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët. Por kjo nuk nënkupton të drejtë të ndokujt për bllokadë. Përkundrazi, në të njëjtin vendim, Gjykata ua rikujtoi përgjegjësinë të gjitha palëve, përfshirë deputetët nga komuniteti serb, që të veprojnë në interes të Republikës. Pra, e drejta për të propozuar nuk mund të jetë mjet bllokimi apo shantazhi”, ka shkruar ai në Facebook.
Cakolli ka thënë tutje se formimi i institucioneve po zvarritet qëllimshëm.
“Në të njëjtën logjikë, edhe nëse nuk do të votohej si nënkryetar ndonjë prej kandidatëve nga partitë shqiptare, Kuvendi do të konsiderohej sërish i pakonstituuar. Prandaj, nuk kemi të bëjmë me “privilegje të serbëve”, por me një standard që vlen për të gjithë – dhe që ka funksionuar pa probleme që nga pavarësia e këndej”, ka shkruar ai.