Në 17 metra “Dhëmbë të fortë” e Brilant Milazimit që sivjet përfaqëson Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, sikur bashkon hallexhinjtë. Aty është vargu i pritjes por leximi që i bën vetë artisti, është trajtim i frikës. Historia e Kosovës me refugjatë në varg, bëhet universale në kohë të trazuara edhe sot. Si asnjëherë më parë, Bienalja e Artit në Venecie është polarizuar tej mase, protestat kanë mbyllur Pavijonin e Rusisë, ai i Izraelit është mbërthyer e Kosova shtrëngon dhëmbët në një ngjarje që i thërret ndërgjegjes
Formati e bën të jetë monumentale e konstrukti i paraqitjes ia jep njëfarë dimensioni thuajse tredimensional. Edhe si koncept është shumëdimensional. Paraqet histori e gjendje të vendit që përfaqëson, por në vepër zënë vend edhe shumë ngjarje aktuale të botës. Është njëfarë tabloje kryesisht dyngjyrëshe me shumë nuanca që pasqyron gjendjen e pritjes dhe vargut. Është një pritje e shtrënguar. Një futje e detyrueshme në radhë. Aso radhë refugjatësh a radhë për të marrë njëfarë legjitimimi.
Në 17 metra “Dhëmbë të fortë” e Brilant Milazimit që sivjet përfaqëson Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, sikur bashkon hallexhinjtë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPavijoni i Kosovës në ngjarjen ku sivjet përfaqësohen 100 shtete, e sjell vargun si mendësi qeverisëse, si nevojë të kohës e si detyrim. Ngjason me vargjet e refugjatëve që bota tash i ka pamje të shpeshta. Edhe me ato të viteve të fundit ngjan në Ukrainë. U shkaktuan nga lufta e Rusisë. Për këtë, të mërkurën, një protestë – pa radhë por me vendosje të çrregullt të njerëzve – bëri që Pavijoni rus të mbyllet përkohësisht. Vargun e refugjatëve e përjetoi edhe Kosova para gati tri dekadash. Tash vepra e Brilant Milazimit me kurator meksikanin José Esparza Chong Cuy sjell tjetër dimension.

“Jam duke u ndier tepër krenar dhe i lumtur me mundësinë që të prezantoj këtë punë që është prapa nesh që e trajton frikën. Punë e cila është shumë e lidhur ngushtë me Kosovën dhe po ashtu është universale”, ka thënë Milazimi (Foto: Majlinda Hoxha)
Aty ku pritja materializohet në pikturë
Simbolikat e pikturës mund të jenë të shumta. Me ngjyrë të kuqe e të kaltër, Milazimi – artist i gjeneratës së re në Kosovë – shpalos pikëpamjen e tij universale për kohën kur jeton.
“Jam duke u ndier tepër krenar dhe i lumtur me mundësinë që të prezantoj këtë punë që është prapa nesh që e trajton frikën. Punë e cila është shumë e lidhur ngushtë me Kosovën dhe po ashtu është universale”, ka thënë Milazimi pak para hapjes zyrtare të Pavijonit të mërkurën. Kurse në ceremoninë e hapjes ai ka thënë se bëhet fjalë për një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij.
“Gëzohem që tani, kur puna është këtu dhe e instaluar, nuk më duhet më ta shpjegoj, nuk më duhet të flas për mënyrën se si pritja materializohet në pikturë. Gëzohem që jeni këtu dhe mund ta ndaj këtë me ju”, ka thënë ai derisa në prapavijë janë dëgjuar tingujt e muzikës së kompozuar nga Liburn Jupolli e që e plotësojnë konceptin kuratorial.
Si kurator José Esparza Chong Cuy ka thënë se vepra e Milazimit nuk ofron zgjidhje.
“Ajo është më kërkuese. Na fton dhe kërkon të qëndrojmë me kushtet që i prezanton, të shohim nga afër, të reflektojmë dhe të njohim mënyrat se si pritja, lëvizja dhe qëndresa nuk janë fenomene të largëta, por pjesë e botës që ne banojmë së bashku. Faleminderit që jeni këtu dhe që keni marrë kohë për ta përjetuar këtë projekt bashkë me ne”, ka thënë ai para të pranishmëve në Pavijonin e Kosovës që zë vend në kishën “Santa Maria del Pianto”, objekt tetëkëndor dhe ish-manastir përballë lagunës veriore të Venecias. Është hapësirë rreth 1.5 kilometra larg “Arsenales”, një prej hapësirave kryesore ekspozuese ku Kosova zakonisht ka pasur Pavijonin. Ambienti sakral sikur plotëson konceptin e përfaqësimit. Vargu i njerëzve mund të përshkruhet edhe si njerëz që kanë nevojë për një fije prehjeje shpirtërore.
Kuratorja e Galerisë Kombëtarë të Kosovës, Hana Halilaj në cilësinë e komisioneres ka thënë se prezantimi i shtatë i Kosovës në Bienalen e Venecias flet për përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për të kontribuar në një platformë që ofron dukshmëri dhe kërkon këmbëngulje institucionale dhe artistike. Sipas saj, që nga viti 2013, prania artistike e Kosovës në Venecie ka folur për forma të ndryshme të pritjes, të formësuara nga zhvendosja, kufijtë, kujtesa apo puna.
“Vepra ‘Dhëmbë të fortë’ e Brilant Milazimit vazhdon këtë tregim si një formë akordimi, ku ritmi i pritjes bëhet i pandashëm nga akti i krijimit dhe nga imagjinimi i së ardhmes”, ka thënë ajo. Në hapje e pranishme ka qenë edhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci. Ka thënë se si institucion janë krenarë që prezantohet vepra e Brilant Milazimit, praktika e të cilit ofron një reflektim të fuqishëm mbi peizazhin, kujtesën dhe mënyrat se si përvojat formësohen nga forcat njerëzore dhe historike, rrënjosur në një ndjeshmëri dhe kontekst të veçantë.
“Për Kosovën, kjo prani është njëkohësisht përgjegjësi dhe mundësi: përgjegjësi për të mbështetur dhe për të mbajtur gjallë prodhimin artistik, dhe mundësi për të ndarë perspektiva të formësuara nga historitë tona, realitetet tona dhe aspiratat tona për të kontribuar në diskurset bashkëkohore globale”, ka thënë midis tjerash ajo.
Sipas konceptit kuratorial “Dhëmbë të fortë” është pjesë e kësaj përpjekjeje kolektive. Vepra nuk pretendon të zgjidhë atë që mbetet e pazgjidhur, as të përkthejë kompleksitetin politik në simbole që synojnë të largojnë dyshimet. Përkundrazi, sipas konceptit, vepra i jep formë një atmosfere, presionit të pritjes si një gjendje e përbashkët dhe qëndrueshmërisë që zhvillohet jo pavarësisht saj, por brenda saj.
Vepra mund të shihet si një pjesë e historisë së Kosovës. Të kaluarës e të tashmes. Historia e Kosovës në raport me Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie nisi më 2013 kur shteti u përfaqësua nga Petrit Halilaj për të vazhduar me Flaka Halitin më 2015, Sislej Xhafën më 2017, Alban Mujën më 2019, Jakup Ferrin më 2022 dhe Doruntina Kastratin më 2024. E për herë të parë sivjet, Kosova përfaqësohet nga një medium si piktura. Bëhet fjalë për një tablo që i thërret edhe ndërgjegjes kolektive në nivel global.

Protesta mbyll Pavijonin rus, bojkot e thirrje ndërgjegjeje
Ndërgjegjes së organizatorëve e kanë thirrur edhe një grup ndërkombëtar të mërkurën.
Pavijoni i Rusisë në Bienalen e Venecias është detyruar t’i mbyllë përkohësisht dyert në ditën e dytë pas hapjes zyrtare, pasi grupi i aktivistëve “Pussy Riot” organizoi një protestë kaotike kundër përfshirjes së këtij vendi në ngjarjen madhore të artit.
Me maska ngjyrë rozë, protestuesit vrapuan drejt pavijonit rus, ku u mblodhën jashtë dhe ndezën flakadanë rozë, blu dhe të verdhë, ndërsa luanin muzikë punk dhe brohorisnin slogane, përfshirë “Gjaku është arti i Rusisë”. Kjo çështje është temë prej kur Federatës së Rusisë iu lejua përfaqësimi. Një përplasje diplomatike për përfshirjen e Rusisë është përshkallëzuar. “Financial Times” raportoi se Komisioni Evropian u kishte thënë Qeverisë së Italisë dhe organizatorëve të Bienales se lejimi i Rusisë për të marrë pjesë do të shkelte sanksionet e BE-së. Pak ditë para hapjes juria – e cila përzgjedh fituesit e çmimeve “Luani i Artë” – dha dorëheqje në masë pasi deklaroi se nuk do të merrte në konsideratë pjesëmarrje nga vendet, liderët e të cilëve janë subjekt i urdhërarresteve ndërkombëtare, një gjë që do të përjashtonte Rusinë dhe Izraelin. Polarizimi ka shkuar edhe më tej. Juria përbëhej nga pesë kuratorë: Solange Oliveira Farkas nga Brazili, Zoe Butt nga Australia, Elvira Dyangani Ose nga Spanja, Marta Kuzma nga Shtetet e Bashkuara dhe Giovanna Zapperi nga Italia. Kjo përbërje qe zgjedhur nga kuratorja e edicionit, Koyo Kouoh.
Bienalja njoftoi në një deklaratë për medie se këtë vit do t’u lejojë vizitorëve të votojnë për pavijonin më të mirë kombëtar dhe do të japë çmime për artistët e ekspozitës kolektive. Fituesit do të shpallen më 22 nëntor, në ditën e fundit të ngjarjes. Telashet s’marrin fund këtu.
Në hapjen zyrtare të Pavijonit britanik, një përfaqësues i ambasadorit ka thënë se asnjë ministër nuk kishte marrë pjesë në ngjarje për shkak të përfshirjes së Rusisë. Zakonisht është një ministër që hap Pavijonin, megjithëse pjesëmarrja e Mbretërisë së Bashkuar menaxhohet nga British Council dhe jo nga Qeveria. Një orë pas protestës së “Pussy Riot”, aleanca “Art Not Genocide” organizoi një demonstratë jashtë Pavijonit të Izraelit në Arsenale. Ky edicion ka nisur me ters.
Sivjet nën konceptin e kuratores Koyo Kouoh e nën titullin “In Minor Keys” edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit hapet për publikun më 9 maj. Kuratorja e prezantuar më 2024 vdiq në maj të vitit 2025. Por me mbështetjen e plotë të familjes së saj, Bienalja vendosi ta realizojë ekspozitën sipas projektit që ajo e kishte konceptuar dhe përcaktuar, me qëllimin për të ruajtur, vlerësuar dhe përhapur gjerësisht idetë dhe punën që ajo ndoqi me përkushtim deri në fund të jetës.
Këto ditë ngjarja është nikoqire e gazetarëve, kritikëve e kuratorëve. Prej ditës së nëntë të këtij muaji hapet për vizitorë. Nganjëherë ka edhe radhë për të parë pavijone. E në atë të Kosovës radha vjen në pikturë. Aso radhe që nëpërmjet tablosë ofron perspektiva të ndryshme mbi pritjen e detyrimin për t’u pozicionuar asisoj. “Dhëmbë të fortë” midis tjerash ofron vargun si institucion dhe si qeverisje në nivel global.