Arbëri

Cakolli tregon datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka sqaruar se si do të veprohet tutje pas dështimit të votimit të Qeverisë së propozuar nga mandatari Albin Kurti, duke përfshirë edhe datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në një postim në Facebook, Cakolli ka thënë se pas kësaj vendi hyn në fazën e dytë të procedurës kushtetuese për formimin e Qeverisë – siç përcaktohet me Kushtetutë dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Presidentja është e detyruar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë dhe koalicionet parlamentare, për të vlerësuar cila prej tyre ka gjasat më të mëdha për të formuar shumicën në Kuvend. Kushtetuesja ka theksuar se ky nuk është një veprim formal, por një proces me përmbajtje reale, që duhet të reflektojë mundësinë faktike për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votave. Pas përfundimit të konsultimeve brenda afatit 10-ditor, Presidentja duhet të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e Qeverisë. Kjo është periudha më e ndjeshme politike dhe juridike e procesit. Gjykata ka sqaruar se Presidenti i vendit nuk ka diskrecion të pakufizuar, por duhet të bazohet në kriterin e ‘gjasës më të madhe për të formuar Qeverinë’, pavarësisht nëse ajo parti është apo jo fituese (relative) e zgjedhjeve”, ka sqaruar ai. 

Cakolli tutje ka thënë se ky mandat mund t’i jepet sërish partisë fituese (nëse ajo deklaron gatishmëri dhe mundësi reale për shumicë) ose cilësdo parti tjetër (nëse ajo paraqet prova konkrete për mbështetje në Kuvend). 

Por, çfarë ndodh nëse asnjë parti nuk pranon të marrë mandatin?

“Gjykata Kushtetuese ka qenë eksplicite në këtë pikë, duke mos e përjashtuar mundësinë që partitë ta refuzojnë marrjen e mandatit. Nëse ndodh kjo – pra, asnjë subjekt nuk shpreh gatishmëri për të marrë mandatin e dytë, procesi praktikisht e humb qëllimin e tij politik dhe Presidentja nuk mund të vonojë pafundësisht vendimmarrjen”, ka shkruar ai duke shtuar se në një situatë të tillë presidentja ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpërndarja.

Kur mund të ketë zgjedhje të reja?

Cakolli ka shtuar se nisur nga deklarimet e shumicës së partive parlamentare se zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme, si dhe duke u bazuar në afatet kushtetuese dhe ligjore – pas konstatimit potencial të mungesës së shumicës së nevojshme për formimin e Qeverisë së re, datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, në varësi të ditës kur shpallen zgjedhjet.