Drejtori i Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, Shkumbin Spahija, ka njoftuar për organizimin e tryezës urgjente të diskutimit për ta trajtuar fenomenin alarmues të përdorimit të cigareve elektronike vape nga fëmijët dhe të rinjtë në afërsi të shkollave.
Ai ka thënë se me anë të kësaj tryeze diskutimi duan ta ngrenë këtë çështje në nivel kombëtar.
Në këtë tryezë, ku do të marrin pjesë ekspertët mjekësorë, si pulmolog, mjek familjar, pediatër, onkolog, specialistë të shëndetit publik, tentohet t’u jepet vëmendje kryesore efekteve të dëmshme që kanë këto produkte tek të rinjtë.
“Për shkak të përdorimit të vape-it që përmban substance që shkaktojnë varësi, si nikotina, e kemi parë të arsyeshme ta ngremë këtë çështje në nivel kombëtar. Ta bëjmë një zë të bashkuar të komunitetit dhe profesionistëve shëndetësorë që do t’i adresojnë sfidat shëndetësore që paraqet konsumimi i vape-it te adoleshentët. Çështja e cigareve elektronike nuk është e rregulluar në Kosovë, mund të shiten e blihen kudo dhe të konsumohen gjithashtu”, ka thënë ai të martën në emisionin “SOT” në KTV.

Spahija ka shtuar se një cigare e tillë elektronike përmbajnë nikotinë sa 200 cigare.
“Substanca që e përmbajnë këto cigare, që është nikotina, shkakton një varësi të lartë dhe në tregun tonë aktualisht po shiten vape që përmbajnë nikotinë sa 200 cigare. Do të thotë, një vape mund të përmbajë nikotinë sa 10 pako cigare. Kjo është e dëmshme për të rinjtë, tek të cilët truri është në zhvillim dhe varësia shkaktohet më shpejt se te të rriturit”, ka thënë ai.
Spahija ka shtuar se në Kosovë nuk është e rregulluar me ligj shitja dhe blerja e këtyre produkteve.
“Është një draft-projektligj që ka parashikuar disa masa, mirëpo po zgjatet tej mase edhe për shkak të mosformimit të Qeverisë. Është e rëndësishme që në mënyrë urgjente të rregullohet shitja e këtyre produkteve vetëm në dyqane që pajisen me licencë dhe plotësojnë disa kritere dhe nuk duhet qenë afër shkollave”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se këto substanca përmbajnë edhe metale të rënda si nikeli e plumbi, gjë që mund të shkaktojë kancer.
“Sasitë e mëdha të nikotinës ndikojnë në aftësitë e të mësuarit, e të mbajturit mend, në kontrollimin e impulseve, në disponimin e të rinjve në mënyrë negative. Këto substanca përmbajnë edhe metale të rënda sikurse nikeli, plumbi, që potencialisht mund të shkaktojnë kancer. Përveç këtyre, përmbajnë edhe substanca të avullueshme, volatile quhen, siç janë diacetilet që përdoren për ngjyra dhe glicerina. Të gjitha këto substanca kanë potencial të shkaktojnë kancer përveç sëmundjeve të tjera. Sa i përket konsumimit të këtyre produkteve nga të rriturit që tentojnë ta lënë duhanin, duhet t’u thuhet se sasia e nikotinës në këto produkte është edhe më e madhe se në cigare. Prandaj, ata vetëm kalojnë nga një kategori të varurish në një kategori tjetër”, ka deklaruar ai.